Birn/ Jeta kulturore nën hijen e minareve mbi oxhakët e Kavajës


Nga: Gëzim Kabashi 

Hapësirat dhe mundësitë për të bërë jetë kulturore nuk janë të shumta në qytetin e Kavajës; megjithatë, autortët dhe artistët vendas nuk dorëzohen dhe luftojnë për të mbajtur gjallë trashëgiminë, memorien historike dhe fjalën e shkruar.

Kur kalon me makinë në superstradën Durrës-Rrogozhinë qyteti i Kavajës dallohet lehtë për shkak të oxhakëve, që kanë mbetur në këmbë nga periudha e ndërtimit socialist.

I shtrirë për së gjati nga veriu në jug për afro 7 kilometra, në hapësirën e tij syri të kap po aq oxhakë, ndërsa ndonjeri prej tyre ndryshe nga të tjerët mban mbi krye pjesë konike llamarine, që ngjajnë me minaren e një xhamie.

Poeti Nazmi Roli, tha për BIRN se “kapuçi” i parë metalik u vendos mbi  oxhakun e ish-ndërmarrjes se konservave në jug të qytetit kur një hoxhë i persekutuar nga regjimi komunist, i cili pati një konflikt me komunitetin musliman filloi ti kryente ritualet në mjediset e ish-ndërmarrjes.

Ndërsa dy të tjerat, njeri mbi oxhakun e ish-fabrikës së qelqit dhe tjetri mbi atë të ish-fabrikës së letrës, nuk dihet se ku e kanë origjinën dhe tani kanë mbetur si ornamente.

“Që të tre minaret mbi oxhakë kanë mbetur si relikte dhe nuk kanë asnjë funksion fetar,” thotë poeti, të cilit duket se nuk i vjen mirë për temën e bisedës.

Kavaja është një qytet mjaft mikpritës dhe kushdo që ndalon atje bën miq shumë shpejt.

Megjithëse, një pjesë janë larguar nga qyteti drejt vendeve të tjera, shoqata kulturore  “Harmonium” që drejton Nazmiu numëron mbi 50 autorë librash jo vetëm artistikë, por edhe me temë historike apo biografi.

“Disa vite më parë  kur u hap ekspozita e librit të autorëve nga Kavaja numëroheshin 212 tituj, ndërsa tani numri ka arritur në mbi 260,” thotë Zydi Shehi, autor i disa librave mbi historinë e qytetit dhe intelektualëve të tij.

Por ta mbash ndezur jetën artistike e kulturore në Kavajë nuk është e lehtë.

“Një vit më parë u përgatitëm të festojmë 100-vjetorin e krijimit të Bandës Frymore të qytetit,” kujton Shehi,  ndërsa shton se bashkia e ka shtyrë pafundësisht datën e aktivitetit deri në anulimin e saj të plotë.

Megjithatë, autorët kavajas nuk dorëzohen.

Ata mblidhen në lokalet e miqve dhe diskutojnë me shumë seriozitet mbi krijimtarinë e kolegëve të vjetër dhe të rinj.

Muharrem Shqarri ka botuar një vëllim mbi historikun e shkollës “26 marsi”, emri i së cilës lidhet me ngjarjet e marsit 1990, kur makina policore e diktaturës komuniste shtypi me dhunë protestat e qytetarëve kavajas.

“Njerëzit harrojnë shpejt dhe qëllimi ynë është ta risjellim historinë përmes dokumentave,” thotë Shqarri.

Artistët kavajas e vuajnë mungesën e mjediseve për realizimin e veprimtarive kulturore.

“Kinemaja “Aleksandër Moisiu” ka dalë jashtë funksioni dhe tani shërben vetëm holli i saj,” thotë Nazmi Roli, sipas të cilit edhe mjediset e pallatit të kulturës “Kavalion” janë shndërruar në kafene apo në zyra për bashkinë e qytetit.

“Kur hapa ekspozitën e parë në qytet, salla ishte e madhe dhe plot dritë,” kujton për BIRN Musa Qarri, piktor grafist i njohur në shkallë kombëtare.

“Më vonë mësova se ai mjedis ishte dhënë nga bashkia si lokal për bar-kafe. Ndërsa në katin e dytë një mjedis tjetër po përdoret nga bashkia për zyra,” shton Qarri.

Muzeu etnografik në Kavajë qëndron i mbyllur | Foto nga : Gëzim Kabashi 

Kompleksi kulturor “Kavalion” përmban edhe një sallë teatri në formë odeoni me 320 vende, por spektakli i fundit nga një grup fëmijësh daton në vitin 2019. Piktorja Inxhiriana Roli tre ekspozitat e saj i ka hapur në hollin e katit të dytë të godinës.

“Ishte shumë kënaqësi,”  thotë artistja kavajase, e cila ka qëndruar gjatë gjithë kohës duke pritur e përcjellë artdashësit e pikturës.

Ajo kujton se gratë dhe vajzat që vizitonin ekspozitën ishin mjaft kureshtare për tablotë nudo, të cilat zinin vend për herë të parë në mjediset e qytetit. “Habiteshin, kur u tregoja se nuk kisha patur modele, por thjesht i kisha imagjinuar ato,” tregon Inxhiriana.

“Ndoshta ka ardhur koha të ekspozoni edhe në Durrës –i them. Mendohet pak dhe thotë me zë të lulët:  Ndoshta!

Jo shumë larg nga qendra e qytetit ndodhet Muzeu Etnografik, por porta e tij është mbyllur që nga tërmeti i nëntorit 2019.

Shtëpia e Arkaxhinjëve, ku është vendosur Muzeu është një godinë e mrekullueshme e shekullit të 19 dhe brenda saj ndodhen qindra objekte, nga periudha ilire deri në vitet 1990.

“Kavaja nuk ka shumë monumente, por kjo shtëpi vijon të jetë e mbyllur në pritje të ndërhyrjes restauruese prej më shumë se një viti,” thotë Nazmiu, sipas të cilit edhe bashkia, por edhe ministria e Kulturës duhet të jenë më të vemendshme.

Ai kujton se e njejta gjë ndodhi edhe me magazinën shumëshekullore të kripës në Karpen, një fshat në bregdet.

“Për sa kohë Zydi Shehi ishte drejtor i Muzeut Etnografik monumentin e kulturës nuk e gjeti gjë,” tregon Nazmiu, ndërsa shton se “më pas u shemb çatia dhe para një viti u dogj”.

Intelektualët kavajas e lidhin kujdesin për kulturën me emra konkretë.

“Njerëzit e bëjnë punën,” thotë Nazmiu, i cili ka shumë kritika për punën e njerëzve të bashkisë në këtë drejtim.

“U bë vite që ky kujdes ka humbur,” thekson ai.

Disa muaj më parë, dy-tre të rinj kavajas me banim në Tiranë, kanë ngritur klubin e Artit në qytet.

“I ndjekim veprimtaritë e tyre. Janë mjaft seriozë dhe po punojnë mirë,” thotë Roli, duke kujtuar edhe takimin e organizuar në Qerret me shkrimtarin Ismail Kadare në 85-vjetorin e lindjes. Por projekti I tyre është 1-vjeçar dhe bashkia nuk u ka dhënë asnjë sinjal pozitiv për të ardhmen,” shton me keqardhje Nazmi Roli.

Kavajë, oxhaku i fabrikës së letrës me minare | Foto Gëzim Kabashi

Të djelave tregu i qytetit zhvendoset në trotuare dhe rruga të çon pranë oxhakëve, që nga afër duken mjaft gjigandë.

Të gjitha godinat e ndërmarrjeve janë rrafshuar dhe kullat prej betoni e tullash nuk e fshehin vetminë e tyre në mes të fushës bosh.

“Një pjesë e pronarëve janë në gjyq, disa të tjerë nuk kanë kërkesa për ndërtime të mundshme,” i përgjigjet pyetjes sime Durim Çaça.

Ndërsa nga artistët askush nuk afrohet këtu, për ndonjë instalacion të mundshëm apo diçka tjetër.

“Një fotograf-piktor, Muhamed Mahilaj, i fotografoi oxhakët edhe nga brenda, por e penguan që ti ekspozojë fotot,” përfundoi Çaça./Reporter.al