Deri më 31 dhjetor 2024, mirëmbajtjen duhet ta bëjë firma ndërtuese, por po e paguan qeveria/ Edhe kontrata e tretë 2.3 miliardë lekë e përfituar nga kompania “4 A-M shpk” e Bashkim Ulajt, përfundon më 31 dhjetor 2021, por Autoriteti Rrugor ka vendosur të zhduk pagesën e afatit të mbetur në vlerë 475 mijë Euro, duke e maskuar me mashtrimin vazhdim kontratë e re për shërbime emergjence
Kostoja e rrugës Tiranë-Elbasan, vazhdon të rritet me miliarda lekë shtesë çdo vit, duke përdorur kontrata për mirëmbajtjen e tunelit, paçka se sipas burimeve nga Ministria e Financave, mirëmbajtja është detyrim i firmës ndërtuese për 10 vite.
Përveç vlerës 40 milionë USD gjobë nga arbitrazhi ndërkombëtar vitin e kaluar; shefat e pushtetit, nëpërmjet tenderëve e kontratave të firmosura nga ARRSH, po zhvasin prej 7 vitesh, nga 900 mijë Euro/vit për mirëmbajtjen e tunelit.
Kujtojmë, se po bëhet vjedhje mbi vjedhje me mirëmbajtjen e tunelit Tiranë-Elbasan; gjë që e dëshmon dhe kontrata e fundit me vlerë 194 milionë e 820 mijë lekë të reja pa TVSH, ose 1.9 milionë Euro me TVSH, që përfundon më 31 dhjetor 2021.
Mirëpo sipas njoftimit zyrtar të datës 26 prill, rezulton se 6 muaj para përfundimit të kontratës aktuale, do bëhet një ndërhyrje (mbivendosje kontrate), që zhduk fondin e 6 muajve.
Tenderi i radhës për mirëmbajtjen e tunelit në rrugën Tiranë-Elbasan, të cilin qysh prej qershorit 2014 e “fiton” vetëm firma “4 A-M shpk” e oligarkut Bashkim Ulaj; do bëhet më datë 5 maj dhe ka fond limit 189 milionë e 360 lekë të reja pa TVSH, ose mbi 1.8 milionë Euro me TVSH.
Ndërkohë që kontrata aktuale përfundon më 31 dhjetor, kontrata e re për të njëjtin shërbim të paguar, do fillojë më 1 korrik 2021; pra, duke zhdukur fondin e 6 muajve mirëmbajtje tuneli, që sipas përllogaritjes është 475 mijë Euro.
Ky marifet, po justifikohet me vazhdimësi kontrate, për ndërhyrje shtesë emergjence, siç u veprua nga qeveria 1 muaj para zgjedhjeve të 25 prillit, edhe me rrugën Kardhiq-Delvinë, ku janë shtuar nga 4.5 milionë Euro për të 6 Lotet, për gjoja punime emergjence të pa parashikuara.
Nuk paragjykojmë as këtë tender, por ka indicie, që SPAK ta hetojë “rastësinë” e kësaj kontrate të parakohëshme emergjence për tunelin Tiranë-Elbasan; tenderi i të cilës do bëhet 10 ditë pas votimeve, ku siç po del nga denoncimet, rezulton se janë “aktivizuar” me kontribute” dhe oligarkët pranë qeverisë./Pamfleti