Boiken Abazi: Makineri e manipulimit të votës, komisionerët e PS dhe PD

 Kandidati i pavarur për deputet dhe aktivisti i “Vetëvendosje”, Boiken Abazi, ka shpjeguar në emisionin “Të Paekspozuarit”, provat se si vullneti i zgjedhësve është manipuluar, jo vetëm përpara zgjedhjeve, por edhe gjatë numërimit të votave.

Abazi shpjegoi se në fletët e votimit është shtuar një “x” dhe se komisionerët kanë rënë dakord me njëri tjetrin.

“Ne kemi qenë të interesuar të flasim me fakte. Kemi bërë publike një video që flet për një vjedhje flagrante të votës në Tepelenë. Aty duket që të gjithë komisionerët janë dakord që vendosja e “x” në fletët e votimit të ndodhë sikur të mos përbëjë asnjë problem.

Ata persona duhet të përballeshin me organet e drejtësisë. M’u tha nga KQZ që janë në proces verifikimi.

Unë nuk i njoh personat, nuk e di kush janë komisionerët. Njëri prej tyre vendos “x”. Ai është duke kryer një krim elektoral. Të gjithë e shohin dhe janë dakord. Kemi një person që kryen krimin dhe të tjerët që janë bashkëpunëtorët.

Cfarë kemi kuptuar, nuk është ndërmarrë asnjë masë në lidhje me këtë rast dhe ne kemi përgatitur kallëzim penal dhe ankesë në KQZ, që do të dorëzohet brenda afatit.

Kjo video ka dalë menjëherë të nesërmen. Kemi publikuar edhe fotografi të ndryshme të nxjerra nga filmimet, nga vëzhguesit tanë. Fotografi të fletëve të votimit, ku është vendosur një “x” i dytë. Ndryshon ngjyra e e përdorur dhe forma e “x” e përdorur.

Të paktën në Tiranë, Lezhë dhe Gjirokastër, kemi dyshimin e bazuar mbi fakte, që ka ekzistuar një makineri e deformimit të votës. Ka ndodhur edhe me subjekte të tjera politike. Partive të vogla u është bërë kjo. Kjo gjë nuk do të kishte ndodhur pa bashkëpunimin e komisionerëve të të dy palëve.

Video e tregon qartazi këtë bashkëpunim. Unë nuk po them sa lart shkon bashkëpunimi, por aty ku ka ndodhur deformimi i votës, ka ndodhur në bashkëpunim mes komisionerëve të të dyja palëve.

Ka edhe një rast tjetër flagrant, i shkollës “Arben Broci” tek Myslym Shyri, ku një maturante ka gjetur një fletë votimi, që ka një “x” në numrin 13. Nuk mund të ekzistojë material zgjedhor jashtë zarfëve. Edhe nëse ka qenë e dëmtuar duhet të futej në zarfin e fletëve të dëmtuara. Është gjetur në koridorin e kësaj shkolle në mes të Tiranës.

Ky deformim i votës me shume gjasë ka ndodhur brenda qendrave të votimit”, tha Abazi.