Detaje/ Atentati në mes të Vlorës, kush është viktima e me sa plumba u qëllua


Bledar Birçaj 40-vjeç u ekzekutua në një atentat të mirëorganizuar mesditën e sotme në Vlorë.

Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Hajro Çakërri”, të këtij qyteti ku viktima ishte duke udhëtuar me një mjet tip BMW në të cilën është qëlluar disa herë me armë në pjesën e parme të xhamit.

Nga të dhënat paraprake të dëshmitarëve që kanë dëgjuar të shtënat me armë, dyshohet se ndaj makinës janë qëlluar 15 plumba.

Deri më tani nuk dihen rrethanat e ngjarjes në fjalë, po 40 vjecari fillimisht mbeti i plagosur. Si pasojë e plagëve të marra është transportuar në spitalin e Vlorës, ku dhe ka ndërruar jetë.

Bledar Birçaj ka qenë i arrestuar në vitin 2011 për veprën penale vrasje e mbetur në tentativë, por është liruar për mungesë provash.

Më pas në korrik të vitit 2011, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka pushuar hetimet ndaj Birçajt.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet nē vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Shërbimet e Policisë të D.V.P. Vlorë, të Komisariatit të Policisë Vlorë po krehin zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli me qëllim kapjen e autorit.