“Përvetësimi” i pasurisë socialiste (1944-1990)

Nga: Hasan Bello

Një nga fenomenet më të përhapura pas vendosjes së regjimit komunist ishte “përvetësimi” i pasurisë socialiste, ose thënë më shqip, vjedhja e pronës shtetërore. Kjo erdhi si rezultat i politikave ekonomike që regjimi komunist ndërmori menjëherë pas luftës. 

Në radhë të parë me këtë kemi parasysh reformën agrare, konfiskimin e pronave të tundshme dhe të patundshme, të floririt dhe sendeve me vlerë, që individë të ndryshëm posedonin e trashëgonin nga të parët e tyre për dekada e shekuj me radhë. 

Por, ajo që i nxiti shqiptarët drejt “përvetësimit” në masë, ishte kolektivizimi e tufëzimi. Në këtë periudhë u ndalua me ligj mbajtja e bagëtive të imta e shpendëve. Kjo krijoi një situatë ekstreme në aspektin e ekonomik. 

Megjithëse “përvetësimi” i pronës socialiste dënohej me ligj, të shtyrë nga kushtet e vështira të jetës, një pjesë kooperativistëve dhe punëtorëve, nuk ktheheshin në shpi pa “përvetësuar” diçka. Ky “zakon” u kthye në “kulturë popullore”. Sepse, kur shteti vjedh individin, ai vjedh shtetin.

Në statistikat e Ministrisë së Drejtësisë, kriminaliteti në fjalë përbënte zë më vete. Kjo për shkak se, me thellimin e reformave “socialiste”, shoqëria erdhi duke u varfëruar, ndërsa numri i të dënuarve për këtë arsye erdhi duke u rritur nga viti në vit. 

Kështu, në vitin 1960, numri i të dënuarve nga gjykatat shqiptare për “përvetësim” të pasurisë socialiste zinte 17.5% të të gjitha krimeve. Nga personat e dënuar 41 prej tyre ishin anëtarë partie, 22 femra, 20 të mitur dhe 15 ushtarakë (oficerë dhe nënoficerë). Siç shihet, përbërja e të dënuarve ishte heterogjene. 

Për drejtuesit e PPSh-së, “përvetësimi” nga anëtarët e partisë, mezi përtypej. Në ndërmarrje të caktuara, përflitej se edhe punëtorët e ndershëm, nuk lejoshin pa “përvetësuar” diçka nga kolegët e tyre. Në këtë mënyrë, shmangej dekonspirimi.

Prandaj, rrënjët e korrupsionit dhe “përvetësimit” pas rënies së komunizmit, duhen kërkuar në këtë periudhë.