Rama “shuplakë” policisë: Mbushët bregdetin me gurë, rrezikojnë burg inxhinierët dhe arkitektët


Përfshirjen e policisë në kontrollin e ndërtimeve pa leje, kryeministri Edi Rama e argumentoi se zotërimin e kapaciteteve. Rama mori shembull rastet kur polici shkon deri në fund të botës për një çati apo mur të ndërtuar pa leje, por nuk ka zellin të shkojë te ndërtimet në buzë të rrugës në zonat bregdetare. Kjo tha Rama, ka një shpjegim të thjeshtë, por shtoi se policia duhet të bëhet mburojë në 28 mijë kilometrat e vendit.

“Sot vëmë një theks shumë të fortë te kalimi te një fazë tjetër për të vendosur kontroll në mbrojtjen e territorit nga ndërhyrjet dhe aktivitetet e paligjshme. Qëllimi është për të rritur vetëdijen dhe përgjegjësinë e Policisë së Shtetit në raport me këtë aspekt kaq të rëndësishëm të qeverisjes dhe detyrimeve që ka shtetit ndaj vendit dhe qytetarëve. Vazhdojmë të jemi në një fazë konfuzioni mes institucioneve dhe mungese ndërveprimi konstant.

Kjo kërkon mbështetje të plotë në aspektin ligjor. Këtë e kemi garantuar me ndërhyrjet e bëra në kodin penal dhe kërkon një paketë të re aktesh nënligjore ku të gjitha përgjegjësitë dhe ndërveprimet që pasojë të jenë të qarta për të gjithë. Është e rëndësishme të kuptohet nga të gjithë këtu se çdo ndërtim pa leje sot rrit në mënyrë të ndjeshme kostot e përbashkëta nesër duke cenuar pronën publike apo private, Duke cenuar planet e zhvillimit dhe buxhetin e shtetit. Kemi ndërtime me leje që bëhen vatra abuzimi.

Mbi lejen e dhënë krijohen vaukume të tjera me kosto për komunitetin dhe zhvillimin. Policia e Shtetit e ka kapacitetit ta kontrollojë territorin. Këtë e tregon një fakt i thjeshtë dhe sakëlldisës. Kur vjen puna për një mur, një çati në fund të botës gjendet polici që shkon atje dhe I kërkon llogari qytetarit ndërsa kur vjen puna për ndërtime në buzë të rrugës në zonë bregdetare nga Velipoja në Sarandë nuk gjendet i njëjti polic i zellshëm. Ju e kuptoni mirë psenë e këtij kontrasti. Duhet të fokusohemi te fakti që policia e Shtetit i ka të gjitha kapacitetet për t’u bërë mburojë në 28 mijë kilometrat”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama kërkoi nisjen e menjëhershëm të operacionit të kontrollit në vijën bregdetare për ndërtimet pa leje. Rama tha se kjo duhet të ndodhë tani dhe jo në mes të sezonit. Ai u shpreh se nuk ka sens të shkohet te bizneset që kanë mbi 20 vite që funksionojnë dhe as në majë të Malit ku u shpreh se atij i duhet thënë faleminderit që ndërton. Kreu i qeverisë u shpreh se me ndryshimet ligjore rrezikon burg edhe inxhinieri, arkitekti dhe mbikëqyrësi i punimeve nëse bëhet palë me investitorin.

“Ndodhin atje ku interesat janë shumë të mëdha. I kam kërkuar ministrit që bashkë me drejtorin e Përgjithshëm dhe bashkë me drejtorin e IKMT-së, ministrin e Turizmit të hartohet dhe të niset operacion nga Velipoja në Ksamil. Tani jo në mesin e verës por tani. Pa asnjë tolerancë. Dhe jo duke shkuar te ndërtime që janë bërë para 20 vitesh. Siç ndodhi për fat të keq në Zvërnec. Dhe jo duke shkuar te njerëzit që kanë 20 vite aty se mos të jenë ata aty nuk shkon askush.

Duke vendosur një vitë të kuqe që nuk duhet të shkelet më nga askush. Vija duhet të jetë e pakalueshme. Aty ku hidhet beton pa leje, duhet të ketë jo vetëm prishje por ndalime dhe procese penale në bazë të ligjit. Kini parasysh, që tani me ndryshimet ligjore penalizohet i gjithë zinxhiri. Nuk lejon më ligji që ti je inxhinieri dhe ti i bën investitorit sipas dëshirës sa kate të dojë se shkon ti në burg. Ti duhet të denoncosh shkeljet e projektit.

Po kështu edhe arkitekti, mbikëqyrësi i punimeve. Duhet të lajmërojë policinë se është edhe ai pjesë. Në të gjitha rastet kur ndërtimet me leje konstatohen në abuzim është detyra juaj t’i merrni të gjithë këta sepse janë pjesëmarrës në krim. Aty ku nuk ka leje ligji është shumë i qartë. Forcat të fokusohen aty ku folëm dhe jo nëpër maja malesh dhe jo nëpër fshatra dhe zona ku është për t’i thënë faleminderit që po ndërton”, u shpreh Rama.

“Bëhen shitbjerje në anë të rrugës dhe vendos ekskavator dhe aty në kryqëzim hyjnë dhe dalin njerëz për tregti. Kjo është e palejueshme dhe e dënueshme për ato biznese që nëse kanë leje për të pasur një magazinë apo godinë në shkelje të nenit që ndalon dhënien e lejes së ndërtimit deri në 20 metra nga rruga. Duhet të respektojmë për aq sa është e lejueshme në hapësirë.

Nëse kjo nuk bëhet pjesë e mendësisë së policisë është betejë e humbur. Kjo është Policia e Shtetit që e shfarosi fenomenin e kultivimit masiv të kanabisit. Nuk është një polici që erdhi nga hëna. Jeni ju që e bëtë këtë. Pse nuk u bëka e njëjta gjë me një aktivitet që është shumë më i lexueshëm për sytë e gjithë trupës së Policisë së Shtetit. Bëhet fjalë për ndërtime në sytë e të gjithëve, Pse u bëka për një fshatar në majë të malit dhe nuk u bëka për ata që ndërtojnë buzë detit.

Në këtë proces policia e shtetit ka përgjegjësinë kryesore por nuk është e vetmja që duhet të marrë përgjegjësinë sepse duhen harmonizuar institucionet e tjera. Çdo gjë tjetër që është jashtë këtij informacioni është objekt i punës për të kërkuar hesap me çfarë leje po e ndërton këtë., Duhet filluar nga zonat turistike, zonat e mbrojtura. Pa shkuar për t’u hallakatur në maja malesh ku një fshatar rregullon një mur apo një çati. Numri i ankesave që vijnë për prani të policisë në zonat më rurale tregon që kapaciteti i vrojtimit dhe goditjes së policisë është 100%.

Por nga ana tjetër fatkeqësisht tregon që është një kapacitet që përdoret 100% për të goditur më të dobët. Nuk e di çfarë përgjigje ka drejtori i Shkodrës për Velipojën. Mjafton të shohësh Velipojën për të kuptuar këtë që po them. Kam shumë besim që kjo polici mund ta transformojë qasjen e krejt shtetit ndaj territorit. Mund të bëhet jo vetëm forca mbrojtëse e pakapërcyeshme në raport me shkelësit por edhe forca në raport me të gjitha strukturat e tjera, duke filluar nga IKMT.

Ajo duhet të jetë strukturë që vepron mbi bazë të raporteve të Ministrit të Brendshëm. Nuk do kapë inspektori i IKMT për të kapur kush ndërton pa leje. Flagrancën e ka policia e Shtetit se përndryshe procesi devijon nga të shkojnë sytë. Çdo komisariat ka zonën e vet. Pushteti vendor është tjetër pjesë e problemit. Edhe konfliktet duhen adresuar. Është e pamundur që një ndërtim pa leje, në det, në mes të Sarandës, jo në zona të pabanuara.

 Të ndërhyhet në det e të hidhen gurë. Të mbushet me gurë deti pa vajtur këmbë polici për të thënë çfarë janë këta gurë që po hedh në det, Dhe pastaj të vijë puna deri tek unë dhe pasi ndërhyj unë për 24 orë të pastrohet ajo kjo është e papranueshme. Kush e mban përgjegjësinë. Policia e Shtetit duhet të jetë shumë rigoroze dhe nuk duhet të lejojë që 1 individ të njollosë reputacionin e saj. Edhe SHÇBA ka një rol të veçantë. Kjo nuk është indiferencë as mungesë aftësie por korrupsion”, tha Rama.