Një foshnjë është gjetur gjallë pranë një pallati shumë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Fëmija i gjinisë mashkull ishte krejtësisht i zhveshur dhe pranë tij gjendej një thikë dhe njolla gjaku.
Zbulimi tronditës që konfirmoi në Policinë e Tiranës, është bërë nga një djalë 25 vjeçar i cili e ka gjetur beben në atë gjendje dhe e ka marrë në krahë duke e mbuluar me veshjet e tij.
Menjëherë më pas ka shkuar në shtëpi dhe është përpjekur ta ngrohë me sa mundte fëmijën e gjorë që e gjeti lakuriq në orën 7 të mëngjesit të së shtunës 15 maj 2021.
Djaloshi ka treguar për policinë se teksa shkonte në garazhin pranë shtëpisë, dëgjoi të qarat e një fëmije. Kur u afrua pa beben që ishte pa rroba dhe e mori në krahë, por i sapolindur nuk po pushonte së qari ndaj e çoi në shtëpi.
Policia mësohet se ka gjetur në vendngjarje pjesë placente të fëmijës, njolla gjaku dhe një thikë. Sakaq ditën e sotme ekspertët e hetimit kanë shkuar në maternitetin ku ndodhet bebja dhe kanë marrë prej saj mbetje biologjike për ti analizuar në laboratorin kriminalistik.
Ngjarja po hetohet pa autor me akuzën e vrasjes së foshnjës e mbetur në tentativë, ndërsa po bëhen përpjekje për të identifikuar nënën e vogëlushit që e la në atë gjendje dhe u zhduk në drejtim të paditur.