“Endri i tha ‘pash Zotin mos më vrit se kam fëmijë’”, zbardhet dëshmia e 15-vjeçarit të arrestuar për vrasjen në Shkodër: Ibrahim Lici na doli para, e qëlloi dhe i tha ‘qofsh i xhenetit’

 

Është zbardhur dëshmia e 15-vjeçarit të arrestuar për vrasjen e Endri Mustafës në Shkodër. 15-vjeçari Ergys Malja fqinj me viktimën u arrestua si bashkëpunëtor në vrasje. Ai ka akuzuar drejtpërdrejt Ibrahim Licin si autor duke treguar dhe bisedën e fundit mes tij dhe viktimës. Një dëshmi rrëqethëse që tregon për makabritetin e një ngjarjeje kriminale, si e cila ka parë disa Shkodra.

Ai ka thënë se me viktimën kishin bërë muhabet hashashi dhe natën e ngjarjes, kishte shkuar për ta ndihmuar 15-vjeçarin ta çonte kanabisin në shtëpi. Me gjithë lutjet e 32-vjeçarit për mëshirë, autori e ka qëlluar dy herë viktimën duke e lënë të vdekur dhe më pas është larguar.

“Më 15 maj gjatë drekës çova në banesën e tij një qengj të vlerë në Postribë pasi ma kishte kërkuar Endri, i cili fillimisht më dha 40 mijë lekë të vjetra dhe më pas, nga ora 19:00 edhe 70 mijë të tjera. Atë ditë biseduam për punë hashashi, pasi i kisha thënë Endrit se kisha mbjellë rreth 150 rrënjë hashash 3-mujorsh në livadhe me dy shokë dhe doja t’i merrja. Endri më tha se do më ndihmonte ai që ta merrnim e ta çonim tek shtëpia ime për ta tharë. Pas kësaj bisede ne u nisëm nga banesa jonë rreth orës 21:30 ose 22:00. Unë i çova në Instagram një foto kali, si kod që Endrit ë dilte jashtë për t’u nisur për në Livadhe. Pasi u takuam pas banesës së Endrit, u nisëm më këmbë drejt livadheve, duke kaluar rrugën e Bypass-it dhe pasi shkuam diku afër livadhit të Endri Mustafës u kthyem djathtas për të dalë në një vend tjetër të quajtur “Gropat e ekskavatorit” ky kisha mbjellë hashashin. Aty na doli para Ibrahim Lici me armë në dorë dhe qëlloi direkt mbi Endrin, i cili u shtri në tokë dhe i tha ‘aman mos më vrit pash Zotin se kam fëmijë’. Ai e qëlloi përsëri, madje edhe në fytyrë duke i thënë ‘qofsh i xhenetit’. Pas kësaj Ibrahim Lici u largua me motor nga vendi i ngjarjes, unë ika me vrap për në shtëpia andej nga erdhëm”, ka deklaruar minoreni.