“Peshku i madh e ha të voglin. Për herë të parë në Shqipëri do të hamë peshkun e madh,” – kjo ishte deklarata e ish-ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Lu, pak muaj përpara se Departamenti Amerikan i Shtetit (DAP), të shpallte “non–grata” (të padëshiruar) më 14 shkurt 2018 ish-Prokurorin e Përgjithshëm Shqiptar Adriatik Llalla për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion.
Në vendimin e DASH thuhej:
“Përveç përcaktimit të z. Llalla, Sekretari po përcakton publikisht edhe bashkëshortin e z. Llalla, Ardjana Llalla, vajzën e tij, Eni Llalla dhe fëmijën tjetër të tij, shtetas jo-amerikan”
Pak javë më pas, më 16 prill 2018, DASH do t’i ndalonte, me të njëjtin motivacion, hyrjen në SHBA, deputetit Tom Doshi bashkëshortes dhe fëmijëve të tij.
“Përveç përcaktimit të z. Doshi, Departamenti po përcakton publikisht edhe bashkëshortin e z. Doshi, Xhovana Doshi, vajzën e tij të rritur, Briana Doshi, djalin e tij të rritur, James Doshidhe fëmijët e tij të mitur”
Më 30 korrik 2019, DASH, vendosi të shpallë si person të padëshiruar, duke i refuzuar hyrjen në SHBA kryetarit të Bashkisë së Durrësit asaj kohe Vangjush Dakos dhe familjes së tij. Shkak mbetej sërish përfshirja e këtij zyrtari të lartë në korrupsion.
“Sekretari i Shtetit po përcakton publikisht Kryetarin e Bashkisë Shqiptare të Durrësit Vangjush Dako nën Seksionin 7031 (c) të Aktit të Departamentit të Shtetit, Operacioneve të Jashtme dhe Programeve të Ndarura të FY2019, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të rëndësishëm”.
Më 19 Maj 2021, Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpallur “non grata” ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha.
Lajmi bëhet i ditur nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, i cili shkruan në një mesazh në “twitter” se Berisha dhe familja e tij janë shpallur zyrtarisht të papërshtatshëm, ndaj dhe ju ndalohet hyrja në SHBA.
“Akte korrupsioni të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për hyrjen në Shtetet e Bashkuara. Ne mbetemi bashkë kundër korrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri”, shkruan Sekretari Amerikan i Shtetit.
Më herët ish-ambasadori Lu ka deklaruar se Ambasada Amerikane gjatë kohës së drejtimit të tij ka refuzuar vizat për disa gjyqtarë e prokurorë, për të cilët DASH ka pasur informacion se janë të përfshirë në korrupsion. Detyrën për zbulimin e emrave asaj kohe Ambasada deklaroi se ja linte procesit të vetingut.