Detaje të reja nga ngjarja në fshatin Janjar, ku gjeti vdekjen 65-vjeçari Bekim Brahimi. Viktima kishte dalë nga shtëpia e tij mëngjesin e së mërkurës për të mbledhur sherebelë.
Me vete kishte marrë dy gomarë dhe qentë që shpeshherë ai i merrte edhe kur dilte për gjah. Kur kish shkuar mesdita, rreth orës 3-4 dhe ai ende nuk ishte kthyer në shtëpi kjo e shqetësoi bashkëshorten e cila kërkoi ndihmën e komshinjve të vet për ta kërkuar.
U nisën në kërkim të tij, rreth 1 km larg, në mal, në kufi me Greqinë u përballën me një pamje tronditëse. 65-vjecari Bekim Brahimi u gjet i pajetë në tokë mes një pellgu gjaku, afër tij ishin dy qentë dhe dy gomarët që kishin të ngarkuar edhe thasët me sherbelë. Viktimës gjaku i rridhte nga krahu i majtë që tregonte se ishte pothuajse i shkëputur deri afër zemrës.
Sipas kryeplakut të fshatit Janjar, Neshat Mehmeti, që e përshkruan si njeri tepër pozitiv dhe që u vinte shpesh në ndihmë bashkëfshatarëve të tij me linjën Janjar – Sarandë dhe anasjelltas, ndoshta qentë kanë pikasur ndonjë derr të egër i janë turrur dhe ai i është turrur viktimës duke e lënë atë të pajetë.
Ndërsa pamja ishte e tepër e rëndë për komshinjtë e tij që e gjetën, vështirësia tjetër ishte transportimi i trupit të viktimës. U desh të vihej përsëri në fshat dhe të sajohej një barelë për transportimin e trupit të pajetë. Gjithë kjo sorollatje bëri që trupi i pajetë i 65-vjecarit Bekim Brahimi të shkojë në familje rreth orës 23.00.
65-vjecari Bekim Brahimi kishte pak kohë që kishte dalë në pension. Ka katër fëmijë, 3 vajza të martuara dhe një djalë që punon prej vitesh në Igumenicë, Greqi.