Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Elbasanit për Arbër Paplekajn.
Paplekaj mbetet me masën e sigurisë personale “arrest me burg”. Ai akuzohet për vrasjen e Pjerin Xhuvanit.
Apeli ndërkohë ka liruar 10 të akuzuarit e tjerë për ngjarjen, duke i ndjekur penalisht në gjendje të lirë.
Arbër Paplekaj nuk ishte i pranishëm në seancën e Gjykatës së Apelit, të mbajtur në ngarkim të tij.
“Jam i tronditur nga ngjarja e ndodhur për shkak të humbjes së jetës së një personi. Nuk e kisha menduar se do të gjendesha në një situatë dhe rrethanë që të rrezikoja jetën e dikujt, për shkak se unë jam i trajnuar dhe i betuar për mbrojtjen e jetës së njerëzve, pavarësisht rrethanave ekstreme për mbrojtjen e vetes dhe personave më të cilët isha”, ka thënë Paplekaj më herët.
Gjykata e Apelit po ndjek penalisht në gjendje të lirë shtetasit:
Arjan Hoxha, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Pavlo Vuksani, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Emiljan Prenga, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Juljan Mataj, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Erald Guga, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Erjon Demushi, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Taulant Ymeri, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Roland Xhepa, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Nuredin Kasma, akuzuar për heqje të lirisë me dhune
Eldjo Beko, arrestuar “në flagrancë”, akuzuar për pengim të hetimeve;
Kush ishte Pjerin Xhuvani
Vrasja e Xhuvanit u krye më 21 prill. Ai ka qenë kryetar i LSI-së në këtë qytet. Më pas, ai është arrestuar për korrupsion kur ishte drejtor në Drejtorinë Rajonale të Fondit të Sigurimit të detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Në korrik, 2016, Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 3 vjet burg, që iu konvertua ne 2,5 vjet Shërbim Prove, si edhe heqje e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për 3 vjet, pasi u fajësua për “mashtrim”, “shpërdorim të detyrës”, kryer në bashkëpunim” dhe “falsifikim të dokumenteve”.
Në vitin 2017, ai ishte pjesë e PDIU-së. Ditën e Verës, 2021, ai ishte një nga personat e akuzuar nga Partia Demokratike për përplasjen që ndodhi në këtë qytet mes militantëve të të dy kampeve. Ai u akuzua si militant i PS në atë kohë.