Nga: Hasan Bello
Një nga familjet shqiptare që me të drejtë mund të konsiderohet dinasti në kuptimin e plotë fjalës dhe të kontributit që ajo ka dhënë për kombin shqiptar është Familja Frashëri, me pinjollët e saj Abdyl, Sami dhe Naim Frashëri. Por ndërsa për të parin kemi një monografi, për dy të tjerët mungon informacioni. Këtu nuk e kam fjalën për ato dy tre broshura për pikëpamjet e tyre estetike, filozofike dhe letrare.
Naim lindi në Frashër në vitin 1846. Pas vdekjes së të atit, në vitin 1865 së bashku me familjen ai do të shpërngulet në Janinë, ku Abdyli ishte emëruar në administratën lokale. Në moshën 19 vjeçare, Naimi dhe vëllai më i vogël Samiu do të regjistrohen në gjimanzin grek Zosimea. Pas përfundimit të studimeve, në vitin 1870 Naimi do të niset drejt Stambollit për punuar në administratën osmane. Në vitin 1871 ai do të botoi “Gramatikën e gjuhës persishte sipas metodës së re”. Kjo tregon se krahas gjuhëve të tjera klasike siç ishte greqishtja, arabishtja, osmanishtja, poeti ynë kombëtar kishte përvetësuar edhe persishten, e cilia konsiderohej gjuha e letërsisë dhe intelektualëve të nivelit të lartë në të gjithë Lindjen.
Por në Stamboll ai nuk do të qëndrojë gjatë, për shkak të sëmundjes së tuberkulozit, që kishte filluar të shfaqte problemet e para. Për këtë arsye ai do të rikthehet për pak kohë në malet e Shqipërisë, në vendlindje, të cilat, sipas tij, ishin terapia më e mirë kundër kësaj sëmundjeje. Sipas të dhënave, fillimisht Naimi u emërua në Berat, ndërsa nga viti 1874-1877 do të ushtrojë detyrën e nënpunësit në doganën e Sarandës. Në vitin 1881 ai u shpërngul përfundimisht në kryeqendrën e perandorisë, ku deri sa vdiq në vitin 1900, punoi në Drejtorinë e Censurës në Ministrinë e Arsimit. Nga këtu ai u përpoq të ndihmonte patriotët shqiptarë për hapjen e shkollave shqipe. Madje, edhe licenca e shkollës që do të hapet nga motrat Qiriazi i dedikohet ndërhyrjes së tij tek autoritetet osmane.
Në vitin 1881 ai do të botoi veprën e dytë “Shpikjet dhe zbulimet”, e cila flet për shpikjet e kohës, nga mulliri dhe ora deri tek elektrika, telegrafi dhe fotografia. Këto botime të iniciuara nga Sami Frashëri quheshin nën modelin e botimeve franceze “libra xhepi”. Kjo për shkak të përmasës, stilit të shkrimit dhe prakticitetit. Në të njëjtin vit Naimi do të botoi librin “Katër stinët”, përshtatje nga fëngjishtja, ku katër stinët e vitit janë paraqitur përmes dashurisë së dy të rinjve, dashuria e të cilëve ndryshonte me ndryshimin e stinëve. Kjo është konsideruar si vepra më romantike e letërsisë shqiptare, pavarësisht se mendohet se ishte thjeshtë përshtatje. Në vitin 1884 ai botoi në gjuhën perse përmbledhjen me vjersha “Ëndërrimet”. Këtu ai përfshiu 24 poezi lirike të shkruara nga 1873-1882.
Në vitin 1884 do të filloi të botohet në Stamboll revista “Drita”, ku Naimi do spikasë për shkrimet e tij nga fusha e natyrës, shoqërisë etj., por dhe për poezitë për fëmijë. Këto do të përmblidhen si tekste për shkollat fillore “Histori e përgjithshme”, Bukuresht, 1886 dhe “Dituritë”, Bukuresht, 1888.
Në vitin 1886 Naimi do të përkthejë nga greqishtja në gjuhën turke kapitullin e parë të “Iliada”, të Homerit, duke hyrë kështu si i pari përkthyes i kësaj vepre në Perandorinë Osmane. Këtë kapitull ai do ta përkthejë në vitin 1896 edhe në gjuhën shqipe.
Por Naimi nuk shkruante vetëm në shqip, osmanisht e persisht, por dhe në greqisht. Në vitin 1886, ai do të botojë në këtë gjuhë poemën lirike “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”, botuar pastaj dhe në shqip në Sofje në vitin 1904. Pas nëntë viteve, në 1895 ai do të botojë përsëri në gjuhën greke përmbledhjen me poezi “Dashuria” (“O Eros”).
Në dhjetëvjeçarin 1885-1895 ai do të shkruaj e botojë çdo vit nga një libër me poezi, poema, vjersha, përkthime etj. Deri sa vdiq më 20 tetor 1900, Naimi do të botojë 22 libra, nga të cilat 15 në shqip, katër në osmanisht, një në persisht dhe dy në greqisht.