Ludian Zaimi, efektivi i policisë që vrau me armë zjarri kolegun e tij mbrëmjen e sotme në ambientet e Komisariatit numër 3 në Tiranë kishte vetëm një vit e gjysmë që ishte rreshtuar krah uniformave blu.
Ndërkohë nga ana tjetër mësohet se viktima Çaush Saliasi, kishte mbi 20 vite në polici.
Mësohet se para shkrepjes së armës ka ndodhur një konflikt banal mes autorit e viktimës.
Tashmë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i policisë
Më datë 23.05.2022, rreth orës 21:20, në rrugën “Mine Peza”, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në rrethana ende të paqarta, punonjësi i Policisë, shtetasi L.Z., ka plagosur me armë zjarri shtetasin Ç.S., të dy me detyrë oficerë të Patrullës së Përgjithshme.
Si pasojë e plagëve të marra, punonjësi i Policisë Ç.S. ka ndërruar jetë në spital.
Grupi hetimor nën drejtimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokurorisë së Tiranës, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Autori i dyshuar është ndaluar dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Në ambientet e Komisariatit nr. 3 kanë shkuar një grup i posaçëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përfshirë ekspertë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim më të plotë për media.