Presidenti, materialet komprometuese, Kushtetuta, zgjedhjet, maxhoranca, mandati i tretë, Kuvendi, por edhe çanta e zezë janë disa nga fjalët kyçe të bisedës me deputetin e PS Spartak Braho, anëtar i komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit, i cili ka qenë sot i ftuar i Marsela Karapanços në emisionin “Frontline” në News24.
E pikërisht biseda ka nisur me ‘çantën e zezë’ të baba Takut, siç shumëkush thotë, një term i përdorur vetë nga deputeti veteran. Braho është koshient se ky term do ta ndjekë gjithmonë, por thotë se ka qenë simbolike.
“Do kënaqemi sot, tema është shumë interesante. Jo, e di që do ta vuaj këtë punën e çantës së zezë sa të jem gjallë. Simbolike ka qenë. Informacione ka kudo”, deklaroi Braho.
Duke u kthyer tek raporti me 100 faqe i Komisionit hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta, Braho shprehet i bindur se më 9 qershor ai do të shkarkohet dhe me më shumë vota se sa u emërua.
“Po ky është një raport i ndërtuar mbi bazën e veprimtarisë hetimore të komisionit. Komisioni punoi relativisht në një kohë të shkurtër por të mjaftueshme për të arritur në konkluzionin përfundimtar që pres duhet shkarkuar. Ka tamam 100 faqe dhe kam bindjen që parlamenti do ta shkarkojë më datën 9 presidentin dhe kam bindjen se votat e shkarkimit do jenë më shumë se ato që e emëruan president.
Janë materiale hetimore pjesë e veprimtarisë së komisionit. Nxitimi ishte brenda por nuk ka të bëjë me cilësinë e raportit dhe punës hetimore. Të tëra me lupë janë, madje ka gjëra që dhe unë nuk i kam ndjekur, kuriozitet të madh, por janë ato që duhet të jenë. Më shumë se sa argumentet kushtetuese që lidhen me vërtetimin e shkeljeve të Kushtetutës, pjesa tjetër është material që e ka krijuar vetë presidenti”, deklaron Braho, raporton “BalkanWeb”.
Pse duhet shkarkuar presidenti, kur dhe më herët pati një nismë të tillë që nuk përfundoi me shkarkim? Braho thotë se e dinte fatin e hetimit të parë parlamentar.
“Isha i bindur që herën e parë komisioni ishte i shpejtuar i pa argumentuar. mendim që shfaqa dhe në diskutime në komision, por u la të shprehej Komisioni i Venecias dhe rezultoi që Komisioni i Venecias nuk tha që s’ka bërë shkelje por janë të atij niveli që nuk cilësohen si shkaqe për ta shkarkuar. Në përmbajtjen e materialit janë 17 raste të shkeljes së Kushtetutës”, thekson Braho.
I pyetur se kush është pika që derdhi gotën, ai thotë mosnjohja e parlamentit, Kuvendit dhe komisionit hetimor, teksa e cilëson Presidentin Meta puçist. “Çudi e madhe ky parlament që e ka zgjedhur, ky parlament që ka prodhuar brumë, ligje që ai i ka firmosur. Papritur bëhet inekzistent, antiligjor. Këtu e mbushi gotën ai.
Veprimtarinë e Kuvendit si të ligjshëm e ka merituar, është shprehur dhe Komisioni i Venecias, një parlament që është plotësisht i vlefshëm, kushtetues. Tani ky ngrihet në fund fare nuk ju njoh, nuk vij, nuk bëhet. E kam shprehur që ky që nuk njeh parlamentin, nuk njeh qeverinë është puçist. Më i ashpër kam qenë me Sali Berishën, me Edi Ramën, me Ilir Metën, me këdo që shkel ligjet”, deklaroi Spartak Braho.