Policia e Durrësit njoftoi arrestimin e tre personave dhe sekuestrimin e tre minave me vlerë sipas saj rreth 9000 euro.
Policia e Durrësit arrestoi mbrëmjen e së mërkurës jo larg nga qendra e qytetit 3 persona që akuzohet se po trafikonin 3 mina të lidhura me aparate celulare, për shpërthime në distancë.
Sipas policisë atyre ju gjendën 3 mina me telekomandë që do i shisnin në qytetin e Durrësit për rreth 9000 euro, mesatarisht 2500-3000 euro për copë.
Operacioni policior i koduar “Muezeu” u zhvillua në zonën e Mauzoleumit të Dëshmorëve dhe sipas policisw ajo kishte informacione operative se disa persona me tendencë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së minave me telekomande po tentonin të shisnin disa mina.
Operacioni që u zhvillua nga patrullat e përgjithshme të policisë solli ndalimin e 47 vjeçarit me iniciale, I. A., 31 vjeçarit me iniciale B. Ç. dhe 37 vjeçarit me iniciale E. B ., të tre të lindur në Dibër dhe banues në Sukth.
Teksa policia njoftoi vijimin e punës në bashkëpunim me Prokurorinë Durrës për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, 2 ditë më parë Policia e Durrësit arrestoi 3 persona dhe sekuestroi disa kilogramë eksploziv të llojit TNT (tritol) dhe C4, si edhe granata dore, kapsolla detonatore dhe një pushkë automatike.
Shpërthimet me mina në distancë dhe vendosja e sasive të eksplozivit është kthyer në trend vitet e fundit për realizimin e atentateve. Nga operacionet e policisë duket se ky aktivitet e siguron “lëndën e parë” në rajonin e Shqipërisë Qendrore.
Në dhjetor të 2020-ës Policia e Durrësit ndaloi një 29 vjeçar i cili kishte në posedim 2 mina të lidhura me aparate celularë për shpërthim në distancë. Ndërsa më 5 janar dy persona u arrestuan nga Policia e Durrësit pasi u kapën me 18 kilogramë eksploziv që dyshohet se do e shisnin për 12 mijë euro.