Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka deklaruar se për të siguruar votimin nga jashtë vendit do të duhet një kod zgjedhor.
Në një aktivitet teme “Votimi jashtë vendit, koha është tani” Celibashi u shpreh se që të realizohet ky proces duhet një konsensus i plotë politike. Ndërsa u shpreh se synimi është që procesi të përfundojë në vjeshtën e vitit të ardhshëm.
“KQZ është e vendosur dhe e ka bindjen e plotë se përmbushja e përgjegjësive të saj institucionale në lidhje me votimin nga jashtë, nuk mundet të jetë e plotë dhe e dobishme nëse në rrugën e përmbushjes së tyre ne nuk konsiderojmë të gjithë faktorët e interesuar në këtë proces.
Partitë politike, organizatat e shoqërisë civile, institucione dhe organizata partnere ndërkombëtare, janë të ftuara për të qënë pjesë e përgatitjes së procesit të votimit nga jashtë. Gjithë kuadri rregullator për votimin nga jashtë do të konsultohet që në fazën ë draftimit me të gjithë grupet e interesit, përfshi këtu edhe partitë politike.
Ne synojmë që këtë proces ta përfundojmë jo më vonë se vjeshta e vitit që vjen.
Në pamje të parë duket se është një periudhë kohë e gjatë dhe e mjaftueshme për të ndërtuar gjithë arkitekturën rregullatore dhe normuese të këtij procesi, por nuk është kështu.
Ne do të duhet të dakortësohemi të gjithë për rregullat që kanë të bëjnë me regjistrimin e votuesve nga jashtë, me procedurat dhe mënyrën e votimit, llogaritjen dhe tabulimin e rezultatit, etj. Pak a shumë do të na duhet të miratojmë një kod zgjedhor vetëm për votimin nga jashtë. Dhe ne të gjithë e dimë që kjo nuk është një gjë e thjeshtë në Shqipëri.
Gjithsesi nga ana tjetër, vjeshta e vitit të ardhshëm është mjaftueshëm larg periudhës së zhvillimit të zgjedhjeve të ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë. Kjo do të thotë se me këtë rast partitë politike do ta kenë të vështirë të kalkulojnë mirë interesat e tyre politike elektorale në mendimet dhe vlerësimet e tyre për rregullat që do të miratohen për votimin nga jashtë. Kështu ne shpresojmë që të marrim një konsensus të plotë mbi përmbajtjen e këtyre rregullave”, tha Celibashi.