Një aksident është regjistruar mesditën e sotme në rrugën Turizëm Kanali i Cukës. Mjeti tip KIA me drejtues Emro Cela, banor i Sarandës, ka zbritur nga një rrugë dytësore dhe ka pësuar defekt teknik duke përplasur fillimisht mjetin e një turisti slloven dhe më pas i ka prerë rrugën një tjeter makine.
Ndërkohë kjo e fundit ka përplasur një tjetër mjet që ishte pas tij. Drejtuesi i mjetit KIA është plagosur lehtë dhe ndodhet në spital, ndërkohë që dëmet janë të konsiderueshme.
Miha, turist slloven, i ardhur sot me bashkëshorten e tij në Sarandë, drejtues i njërit prej mjeteve i përfshirë në aksident dha detaje rreth aksidentit.
“Unë po rrija në makinë, sapo kisha ndaluar në këtë vend, ndërsa gruaja imë sapo kishte dalë nga mjeti. U përpoqa që të mos zija rrugën por të futesha në një qoshe, siç e shihni, dhe brenda 2 minutash, një makinë po vinte me një shpejtësi dhe dukej sikur s’i funksiononin frenat. Kishte një shpejtësi marramendëse, dukej që ishte pa frena. U përplas me makinën time nga ana e shoferit dhe më pas në rrugën kryesore u përplas me një makinë tjetër. Mua më dhemb pak krahu, pastaj ka dëme materiale makina, u prish pasqyra, dy dyer të makinës nga krahu i shoferit, madje nga fuqia e madhe e përplasjes u hapën airbegët e makinës. Kishim vetëm pak orë në Shqipëri, sapo kishim arritur në Sarandë, po presim për një përkthyes që të japim dhe deklaratën tonë në polici.”, tha turisti.