Nuk ndalen konfirmimet tek Egnatia. Pas Pujës, Krasniqit, Gashit, Shtubinës, Xheksonit, Shytit, A.Maganit e Hasanbelli, listës i shtohet edhe Ilir Allmuça. Pas bisedimeve me presidentin, 24-vjeçari ka gjetur akordin për të rinovuar dhe për pasojë do të jetë pjesë e organikës edhe për sezonin 2021-2022. Ai ishte titullar i padiskutueshëm në Kategorinë e Parë dhe me 19 ndeshjet e luajtura, kontribuoi në ngjitjen e rrogozhinasve në elitë. Mbrojtësi është i lumtur për zgjatjen e marrëveshjes, ndonëse për “panorama Sport” thotë:
“Rinovova kontratën me Egnatian. Jam shumë i kënaqur që u arrit akordi, pasi tregon vlerësim që ka presidenti dhe drejtuesit e tjerë për mua. Ky do të jetë viti im i tretë në Rrogozhinë dhe premtoj se angazhimi do të jetë maksimal, ashtu si në dy sezonet që zhvilluam ne Kategorinë e parë. As që e mendoja të ikja, madje zgjatjen e kontratës e prisja. Tashme nuk më mbetet tjetër veçse të punoj fort, që të jemi ‘zjarr’ në elitë”.
Nuk kishte si të mos fliste për emocionohet që përjetuan me ngjitjen dhe rrugëtimin që patën. “Sezonin e kaluar donim ngjitjen në Superiore dhe ia dolëm, por gara ishte shumë e fortë. Presidenti korrekt, stafi me përvojë i dhanë tjetër organizim skuadrës në çdo drejtim. E gjithë puna e përkryer u shpërblye me plot dy trofe të fituar që na u shtuan. Qershia mbi tortë ishte finalja me Dinamon, ku besuam deri në fund e arritëm parashikimin final.
Te blutë për 4 sezone kam dhënë kontribut, ndaj u gëzova edhe për ata. Tashmë na pret tjetër kategori ku ne do nisim një faqe të re. Objektivat do të mundohemi t’i përmbushim me sukses. Besoj se do jemi solidë dhe me merkaton që do të bëhet. Gjithashtu, theksoj se do jem aktiv në rolin ku luaj dhe pse jo mbrojtja e repartet e tjera të dallohen çdo përballje”, përfundoi Allmuça.
ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL