EMRAT/ Arrestohet 66-vjeçari, plagosi me armë gjahu kushëririn pas konfliktit për…

Një konflikt pronësie ka sjellë plagosjen e një 37-vjeçari në Fier. Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 09:00, në fshatin Vreshtas, Fier, ku shtetasi Haredin Nazëraj, 66 vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë gjahu shtetasin Klement Nazëraj, 37 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Fierit nën kujdesin e mjekëve.

Menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e Policisë, të cilët bënë të mundur kapjen e autorit të dyshuar dhe shoqërimin e tij në Komisariatin e Policisë Fier.

Policia ka sekuestruar gjithashtu në cilësinë e provës materiale armën e gjahut. Dyshohet se dy të afërmit janë konfliktuar për të mbjellat dhe më pas sherri ka degjeneruar dhe 66-vjeçari ka marrë armën duke e qëlluar kushëririn e tij.

Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit H. N., për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

Materialet do i kalojnë Prokurorisë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.