Nuk ka ndryshime në pankinë, Besa konfirmon trainerin Ndriçim Kashami


Shuhen dilemat, Besa vendos për trajnerin. Nuk do të ketë ndryshime në pankinë, pasi presidenti ka rikonfirmuar Ndriçim Kashamin. Me mbylljen e kampionatit u shtuan pikëpyetjet për stolin.

Kavajasi u largua, ndërsa Nexhat Bizhdili nisi negociata për të riun. U përfolën shumë emra, por më konkreti ishte Klevis Dalipi.

Ky i fundit zhvilloi disa takime me kreun e klubit, por akordi nuk erdhi kurrë. Pas kësaj piste, nisën edhe sugjerimet nga menaxherë të ndryshëm, siç ishte edhe rasti i Veljko Dovedanit. Serbo-boshnjaku që drejtoi Bylisin në tri sezonet e fundit, ishte një opsion.

E megjithatë, situata përmbyset katërcipërisht. Pas negociatave të fundit, presidenti ka menduar që të vazhdojë me trajnerin që mbylli sezonin. Është ai vetë që e ka konfirmuar këtë lajm enkas për “Panorama Sport”, ndërsa shprehimisht tha: “Trajner do të jetë Ndriçim Kashami dhe ndihmës Meglid Mihani, nuk ndryshon as përgatitësi i portierëve. Për këtë rol mbetet Taulant Gurma”.

Kujtojmë se trajneri erdhi në krye të pankinës së verdhezinjve në fazën “play off”, pas dorëheqjes që dha Artan Mërgjyshi. Ecuria e tij te kavajasit ka qenë e suksesshme dhe duket se projekti që i ka paraqitur klubi, ka bërë që t’i besohet stoli edhe për një vit. Pretendimet e Besës do të rriten ndjeshëm këtë vit, të paktën këtë ka paralajmëruar vetë Bizhdili.

Ai e ka thënë qartazi se do të ndërtojë ekipin më të fortë të 6 viteve të fundit, me objektivin e vetëm: ngjitjen në elitë. Pasi u vendos për trajnerin, me shumë interes priten zhvillimet në merkato. Janë premtuar afrime cilësore, por zyrtarisht nuk ka pasur firma.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL