Një gjykatës italian ka rënë pre e një grabitjeje në zonën e Golemit.
Raportohet se gjykatësi, e ka lënë makinën në një servis pasi gjatë rrugës iu ka çarë goma e mjetit, e aty, i kanë vjedhur paratë e dokumentet.
Italiani, gjykatës në Bari, ndodhej me pushime në Shqipëri.
Ai e ka denoncuar ngjarjen në polici, ndërkohë që Policia po punon për identifikimin e autorëve të grabitjes.
“Ai kishte ardhur në Shqipëri për pushime. Kishte marrë një makinë me qira në Tiranë dhe ishte nisur në drejtim të Vlorës. Por aty i është çarë goma e makinës dhe ka ndalur në një servis të Golemit.
Ai ka lënë çelësat aty dhe është larguar nga servisi. Kur është rikthyer, ka kërkuar çantën brenda së cilës ka pasur para dhe dokumente. Ai i ka pyetur personat e servisit në lidhje me çantën, por ata nuk kanë shprehur dijeni.
Është e paqartë se kush janë autorët. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë dhe deri më tani, nuk ka asnjë person të arrestuar”, thonë burimet.