Çim Peka: O demokratë, po ju gënjejnë të gjithë. Ju sot jeni kokëulur, të braktisur dhe tradhëtuar


Nga Çim Peka

Nesër Partia Demokratike mbledh Kuvendin e saj Kombëtar për të analizuar farsën zgjedhore, për të provuar manipulimin dhe blerjen e votës, por edhe për të zgjedhur Këshillin e ri Kombëtar, duke i hapur kështu rrugën zgjedhjes së Kryesisë dhe Sekretariatit të ri.

Demokratët shkojnë nesër në këtë Kuvend kokë ulur, të zhgënjyer, të mërzitur, të braktisur dhe të tradhtuar. Shumë prej tyre ndoshta edhe kanë bërë gati valixhet për tu larguar përgjithmonë, duke ju bashkuar qindra e mijëra të tjerëve, që nuk patën nervin të shpresonin deri në fund.

E ndërsa këta ‘mohikanë të fundit’ i drejtohen Pallatit të Kongreseve, në mendjen e secilit prej tyre nuk reshtin dilemat dhe pyetjet: si ndodhi? Çfarë ndodhi? Ku gabuam? A na i thonë të gjitha?

Në këto tre muaj demokratët kanë dëgjuar justifikime të pafund nga mbështetësit e lidershipit aktual, po kaq akuza të pafundme nga kundërshtarët e lidershipit, e po kaq analiza nga të baraslarguarit e këtyre kampeve. Në procesin e nxituar të zgjedhjes së kryetarit të ri të Partisë Demokratike, demokratët u ndeshën me një fushatë elektorale farsë.

Farsë, jo për shkak se kandidatët ishin pjesë e ‘lojës së Bashës’, porse platforma e tyre, ashtu si dhe e Bashës ishte farsë. Një qark falsiteti, mungese vizioni dhe paaftësie për të parashtruar një platformë që do të mund ti mblidhte të gjithë demokratët bashkë. Një mungesë e dhimbshme vizioni për të mbledhur të gjithë shqiptarët e zhgënjyer në përballjen me Ramën.

Kundërshtarët e Bashës veç e veç dhe të gjithë bashkë bënë një fushatë të bazuar në platformën se Basha është në pazar me Ramën. Edhe mund ta akuzosh kundërshtarin për një gjë të tillë, edhe mund ta personalizosh fushatën në sulme personale, por kjo nuk tregon lidership.

Të akuzosh Bashën se është në pazar me Ramën duhet së pari të provosh që ti vetë nuk je në pazar. Të akuzosh që është i lidhur me oligarkët, duhet së pari të kesh kurajën ti përmendësh me emër. Të akuzosh se Basha nuk është lider, duhet së pari të frymëzosh. Të akuzosh Bashën se shiti Berishën dhe nuk i doli në krah me rastin e shpalljes ‘non-grata’ duhet së pari të dalësh me një qëndrim politik të qartë, dhe jo mbash frymën për tu takuar me Ambasadoren Kim, e aq me pak të kesh kurajën për t’i shprehur pakënaqësinë apo padrejtësinë (reale apo të perceptuar). Nuk mund të hiqesh si ‘Berishist’ sa për të marrë votat e mbështetësve të tij dhe mos ta mbrosh.

I gënjen edhe Basha kur u thotë se ndërkombëtarët nuk mbështesin Ramën. Se amerikanët nuk mbajnë anën e tij. I gënjen sepse faktet tregojë të kundërtën. Nuk e kundërshtuan kur ai në mënyrë të njëanshme bëri Reformën Territoriale. Nuk e kundërshtuan kur ktheu Shqipërinë në laborator droge. Nuk e kundërshtuan as kur përdori trafikantë droge për të fituar zgjedhjet e vitit 2017.

Nuk e kundërshtuan as kur zhbëri ndryshmet kushtetuese për Reformën ne Drejtësi. As kur kapi të gjitha institucionet. As kur plotësoi vendet vakante në parlament në mënyrë anti-kushtetuese. As kur mbajti zgjedhjet lokale moniste. As kur shembi Teatrin në mënyrë të paligjshme. As kur mbushi parlamentin, administratën dhe pushtetin vendor me trafikantë droge, vrasës e përdhunues. As kur nxori Kosovën dhe detin në shitje, as kur ju vërsul mediave kundërshtare, apo kur i mbylli ato me kosto marramendëse për buxhetin e shtetit. As edhe kur zhbëri zgjedhjet e lira dhe të ndershme duke ndryshuar Kushtetutën, duke blerë apo duke përdorur grupet kriminale. Dhe lista vazhdon.

Fatkeqësisht nuk ua thonë as kundërshtarët e Bashës. Nuk ua thotë as Doktori.

Nuk u thonë, sepse po ta thonë, do t’u duhet të tregojnë edhe ‘pse-në’. E, siç duket, asnjëri nuk ka kurajën ta hapë këtë temë. Aq më pak Basha.

Nuk është konspiracion, por fakt. Ashtu siç është fakt se as këtë radhë nuk ndodhi, përpos të gjithë argumenteve që përmenda më lart. Ashtu siç është fakt se lidershipi i opozitës sot gjendet i mbështetur pas murit. Ashtu siç është fakt se diplomatë amerikanë rendin pas çdo figure periferike të opozitës, sa tek Rudina Hajdari, sa tek Nisma Thurje, sa tek Edith Harxhi, e sa tek Leka Zogu.

As Berisha nuk është i hapur dhe i sinqertë me demokratët. Fatkeqësisht. Në kulmin e kësaj ‘embargoje’ ai nuk la studio televizive pa deklaruar e premtuar se tashmë do të kthehej fuqishëm dhe me kohë të plotë në PD dhe në politikën aktive. Por ai është i munguari i madh në Kongresin e nesërm. Që nga 2017 nuk ka demokrat që të mos ketë pyetur me zë dhe nën zë: po Doktori? Çfarë mendon ai? A konsultohet Basha me të? As demokratët e as ndërkombëtarët kurrë nuk morën një përgjigje shteruese nga ai.

Unë nuk kam një përgjigje të saktë apo shteruese për dilemat e, dhe mbi lidershipin e PD, apo mbështetjen e parezervë që i jepet Ramës. Arsyeja mund të jetë një e vetme, por mund edhe të jenë shumë. Më shumë se për çdo gjë tjetër, demokratët kanë nevojë për ta ditur. Dhe askush tjetër përveç Bashës nuk mund t’ua thotë.

Mund të jetë për fajin e tij, mund të jetë për arsye edhe më të mëdha sesa vetë ai. Ndoshta Rama u ofron gjëra që Basha nuk mundet, por ama duhet t’ua thotë. Ndoshta nuk kanë qasje të njëjta për çështje rajonale siç është marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi, apo mini-Shengeni, apo një Jugosllavi e re. Ndoshta ka një projekt për ta lënë Shqipërinë jashtë BE. Ndoshta është çështje lobimi.

Ndoshta ka një projekt EU-US për një qeverisje të përbashkët midis dy partive të mëdha. Ndoshta është çështje lidershipi. Ndoshta lidershipi aktual nuk shihen si interlokutorë seriozë. Ndoshta ka një frymë të përgjithshme kundër partive konservatore dhe të djathta.

Të gjitha këto mbesin në kuadrin e hamendësimeve për aq kohë sa nuk kemi një përballje me të vërtetën, e për aq kohë sa askush nuk ua thotë demokratëve. As Basha, as Berisha, e as kundërshtarët e njërit apo tjetrit.

Nuk pres që nesër Kongresi i PD ta prekë këtë temë të nxehtë, por jam i sigurtë se çfarëdo që të thuhet në atë sallë, pyetja ‘pse ndërkombëtarët mbështesin Ramën’ do të jetë aty.

Në mos në mendjet folësve në podium, ne mendjen e secilit në atë sallë me siguri.