Një ngjarje e rëndë është shënuar në Turqi. Dy fëmijë, motër e vëlla, janë mbytur në liqenin e qytetit Amasya.
Ata ndodheshin në atë vend së bashku me familjen, për të festuar ditëlindjen e djalit 3-vjeçar, i cili gjeti vdekjen në ujërat e liqenit.
Bashkë me ta, janë mbytur edhe tre anëtarë të tjerë të familjes, që u futën në ujë për t’i shpëtuar. Gjyshja e fëmijëve 50 vjeçe, xhaxhai 19 vjeç dhe tezja e tyre 28-vjeçe nuk kanë mundur të dalin të gjallë në breg.
Mediat tregojnë detaje tronditëse nga gjetja e trupave të të miturve. Ata thonë se në çastet që janë gjetur nga polumbarët, vëlla e motër, kanë qenë duke mbajtur shtrënguar duart e njëri-tjetrit.
“Ne i gjetëm fëmijët rreth tre metra larg trupave të gjyshes, xhaxhait dhe tezes së tyre. Ata ishin të kapur për dore, ishin momente të paharrueshme, mjaft të dhimbshme”, tha drejtuesi i ekipit të kërkim-shpëtimit.