Rregullorja e Kuvendit përcakton se deputeti në moshën më të madhe drejton seancën e parë plenare në fillimin e legjislaturës.
Aktualisht, sipas të dhënave që ka përpunuar stafi monitorues i Institutit të Studimeve Politike (ISP), nga deputetët e zgjedhur, Luljeta Bozo pritet të jetë deputetja në moshën më të madhe (datëlindja 1943), ndjekur nga Sali Berisha (datëlindja 1944).
Në total 18 deputetë janë mbi moshën 60 vjeç, shumica prej tyre me përvojë të gjatë parlamentare, ndërkohë që vetëm dy deputetë do të jenë nën 30 vjeç, të dy prurje të reja politike.
Kryeministri Edi Rama i përket ditëlindjes 1964 ndërsa kryetari i PD Lulzim Basha. ditëlindjes 1974.
Sipas Institutit të Studimeve Politike (ISP), në praktikat e studimeve parlamentare gjithnjë mosha personale lidhet me moshën politike dhe me kontributin e secilit politikan gjatë karrierës së tij.
Ekspertët e ISP vlerësojnë se disa nga veteranët e parlamentit të ri kanë mbajtur poste të larta politike edhe më 1990-1991 deri në kryetarë partish, disa drejtues të partive në rrethet e tyre, ndërkohë që dy prej prurjeve kanë përvojë minimale politike.
Referuar kontributit profesional, pothuajse të gjithë emrat e tabelës kanë të përbashkët “meritën” se nuk kanë arritur të lënë gjurmë pozitive në historinë e tranzicionit, nuk kanë iniciuar ligje të rëndësishme apo procese reformash serioze, si dhe nuk kanë demonstruar maturi, transparencë dhe llogaridhënie politike gjatë viteve apo dekadave në karrierë.
Një pjesë e tyre ishin krijues e drejtues të sistemit të politik, për pasojë, edhe përfituesit kryesor të privilegjeve të tij, një pjesë vijon të mbijetojë për shkak të besnikërisë /shërbimeve ndaj liderit politik, kurse një pjesë tjetër shpreh deformimet aksidentale të përfaqësimit gjatë tranzicionit, për shkak të CV të tyre problematike në qeverisjen lokale, qendrore apo në partitë e tyre politike.