Start me fitore për Besën. Dominim me lojë e gola dhe trepikëshi i parë vjen me logjikën e pretendentit. Kavajasit i shpalosën dukshëm vlerat ndaj Turbinës, përtej të tjerave disiplinë taktike dhe kjo pasi trajneri Ndriçim Kashami ndërtoi manovër efikase loje. Ndriçim Kashami vlerëson lojën e të tijve dhe sidomos këmbënguljen që shfaqën në fitoren 2-1.
Gjatë prononcimit të dhënë për gazetën në mbyllje të ndeshjes, trajneri i Besës evidentoi edhe një herë problematikën me fushën. “Këmbëngulja solli fitoren. Administruam mirë veprimet tona në fushë dhe nëpërmjet insistimit që treguam nga minuta e parë e deri në fund, arritëm suksesin. Ishte një trepikësh më shumë se i merituar.
Duhet ta pranojmë ama, se vuajtëm jo pak nga kushtet e fushës që ka Luzi. Terreni nuk ka cilësi dhe u penalizuam shumë nga ky faktor. Si fillim, rëndësi kanë tri pikët. Pretendimet tona do të duken me qartë në takimet e tjera”, tha tekniku.
Marrë nga Panorama Sport