Kur do të çlirohet përfundimisht Shqipëria nga ‘pusht-eti dhe pushtimi i gomerëve’

Nga: Aranit Muraçi 

Në Kajro drejtuesi i një prej fakulteteve më të rëndësishëm të universitetit publik të Egjiptit, i cili ishte shkolluar në perëndim, u përpoq të sillte një frymë të re për oborret akademike të vendit të tij. Ai si fillim urdhëroi që të hiqej rrethimi i jashtëm i fakultetit, me qëllim që të ishte sa më i hapur për publikun e gjerë. Mirëpo fakulteti ndodhej në periferi të qytetit dhe para dyerve të tij kalonin gjithnjë e më shpesh banorë me gomerë. Gomerët u kthyen në një shqetësim për stafin pedagogjik, i cili kërkoi që të rivendosej rrethimi, por drejtuesi vizionar i fakultetit u përgjigj: Duhet të shqetësohemi, nëse gomerët, në vend të njerëzve të aftë, do të dalin prej fakultetit tonë të diplomuar. Atëherë edhe kombi ynë do të ketë marrë fund.”

Para nisjes së vitit të ri akademik, përpos periudhës së vështirë prej pandemisë, ajo që kërkohet nga qeveria me nisjen e mandatit të tretë është ndërhyrja urgjente, kërkohet madje ndërhyrje revolucionare në arsim, sidoemos në atë të lartë, për të shpëtuar vendin nga ndotja masive e kartonëve pa vlerë apo edhe humnera që i kanoset prej ‘gomerëve të diplomuar, graduar ose të nënshtruar prej tyre’.

A nuk ka ardhur koha që prindërit të dinë dhe të mos i marrin më si deri tani në qafë fëmijët, përpara se të investojnë në arsim për të ardhmen e tyre. Para se ata të bëhen juristë, ekonomistë, mjekë, infermierë, inxhinierë, agronomë, veterinerë, mekanikë, shkencëtarë, artistë, arsimtarë, specialistë IT, filozofë, psikologë, gjeologë, gazetarë, pilotë, marinarë, ‘mercenarë’, politikanë apo diplomatë, a është më mirë apo më keq që ata të zgjedhin “emigracionin’. Për sa dhe për çfarë specialistësh ka nevojë tregu?

A ka një studim, qoftë edhe një, që të tregojë se me çfarë profesionstësh tregu është i tejngopur dhe për çfarë profesionesh ka nevojë më tepër dhe po ashtu të shpjegojë fenomenin kur dihet që jemi vendi me më shumë juristë për metër katror në botë: Pse nuk arrijmë dot të gjejmë as 10 apo 20 prokurorë dhe gjyqtarë?

Në 30 vitet post-komuniste, universiteteve tona iu ka munguar pikërisht kjo frymë drejtimi. Debatit të fundit për dështimin e ligjit të Arsimit të Lartë, i nxitur kryesisht nga ‘Profesor’ Xhelal Mziu dhe deputetë të tjerë që u pajisën me doktoratura dhe morën grada shkencore gjatë tërë këtyre viteve, iu shtua dhe zëri i ish- ministres së Arsimit, Besa Shahini, e cila pranoi pak ditë më parë se fatkeqësisht shumë drejtues universitetesh dhe fakultetesh publike kanë siguruar grada shkencore përmes punimeve plagjiaturë dhe këtë dukuri të shëmtuar nuk e ka ndalur askush.

Të fajësosh ligjin dhe vetëm ligjin për dështimin e arsimit në vendin tonë është njësoj si të fajësosh kushtetutën për dështimin e sistemit tonë të drejtësisë. Po të mos kishte vënë dorë faktori ndërkombëtar, sot do të kishim të njëjtët njerëz të korruptuar në krye të gjykatave dhe prokurorive. Si pjesë e reformimit të mundshëm, Kuvendi mund t’iu dorëzonte ligjet më të mira në botë prokurorëve dhe gjyqtarëve hajdutë në profesion, të pashkolluar e të pamoralshëm, në realitet. Në një rast të ngjashëm a duhet sot të prisnim prej tyre ndonjë rezultat konkret?

Në vitin 2006, kur në vendin tonë nisi lulëzimi i universiteteve ‘kioska’, një nga vajzat më të njohura të Show-biz, e cila ndiqte studimet e larta për shkenca politike në Universitetin publik të Tiranës, kishte ngelur në një provim. Ishte ngelëse mes mijëra studentëve të tjerëve, normale deri këtu, por me ndërhyrjen e ish-ministrit të kulturës së asaj kohe, Ylli Pango, sipas asaj që u bë publike, studentes (e cila ishte programuar si pjesë e një projekti politik), nota ngelëse iu shndërrua në dhjetë. Ai projekt politik sot konsiderohet i dështuar dhe i kapitulluar, sepse përveç zemërimit që solli për mijëra studentë të tjerë në atë kohë të cilët nuk njihnin ndonjë ministër, vajza e njohur e botës së spektaklit, u shfaq si një votuese e zakonshme krah kryebashkiakut të Tiranës në zgjedhjet e fundit lokale.

Para nisjes së vitit të ri akademik, qeveria prezantoi Bordin e Akreditimit të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë. Bëhet fjalë, sipas asaj që është thënë, për një skuadër të re me ekspertë të nivelit më të lartë ndërkombëtarë dhe shqiptarë të cilët spikasin në botën akademike jashtë vendit.

Para çdo qëllimi dhe objektivi, a do të mundet bordi të identifikojnë me mijëra ‘gomerë’ që u futën dhe dolën të diplomuar nga oborret akademike, bashkë me të zotët brenda tyre, të cilët pa hasur gjatë rrugës asnjë pengesë, vijojnë dhe bëjnë sot ‘karrierë’.

Janë dhënë mbi 1 mijë diploma për të huaj që nuk njihnin asnjë fjalë të gjuhës shqipe dhe që pretendojnë se kanë studiuar në një nga universitetet tona me programe shqip, ndonëse asnjë nga universitetet në fjalë nuk kishte asnjë program në gjuhë të huaj. 

Janë dhënë me mijëra diploma part-time dhe me korrespodencë nga universitetet publike. Janë dhënë edhe më tepër diploma nga universitetet private në formë shkëmbimi në natyrë, ku studentët pajtoheshin të kryenin shërbime si roje, lyerje, punime hidraulike, punime zdrukthëtarie dhe punime të tjera ndërtimi. Nuk llogaritet standarti i vlerësimit  dhe fiktiviteti i notave në të gjitha universitetet.

Për të hyrë në universitet dhe për të marrë një diplomë ishte e lejueshme si shkëmbin në mungesë të parave edhe dhënia e bagëtive, e fasuleve, patateve, lëndëve të ndërtimit, atyre narkotike, druve të zjarrit. Më e lehtë ishte që një student të blinte diplomën me para në dorë për 5 vite, qoftë edhe nëse paratë buronin nga aktivitete kriminale, kryesisht trafik droge.

Janë dhënë përmes këtij projekti famëkeq dhe politik, i ngjashëm me atë të piramidave financiare para ’97, edhe grada shkencore në të njëjtën formë: 100 kopje. Ndërsa tregu i punës, sidoemos sektori publik i njeh njësoj me ata që kanë studiuar dhe merituar diplominin, vlerësimin shkencor, madje i dallon kryesisht ata sipas parimit ekonomik, ose rregullit ‘mik’ çka tregon se gjithçka ka qenë e kurdisur si një projekt i pastër politik.

Vetëm një vullnet i mirë politik i qeverisë përgjatë mandatit të tretë dhe i çdo faktori tjetër politik për të ngritur një sistem arsimor sa më të pranueshëm, i drejtë dhe i aksesueshëm për të gjithë njerëzit që kanë vendosur të jetojnë në këtë vend, mund të ndryshojë rrjedhën e historisë së universiteteve tona, me qëllim për t’i vendosur ato në ‘shina’ të sigurta, si dhe për t’i nxjerrë një herë e mirë nga udha pa krye që nisi dy dekada më parë.

Nëse situata e oborreve akademike nuk ndryshon e ardhmja e vendit do të jetë më e pasigurt dhe kaotike, por po aq e sigurt është se herët a vonë, koha do të imponojë ndryshimin e nevojshëm për t’i çliruar njëherë e mirë universitetet dhe pusht-etet nga pushteti i gomerëve.