Akuzat si kukull e Berishës dhe peng i Ramës, Basha: E para gënjeshtër, e dyta s’do ndodhë kurrë


Kreu i PD-së Lulzim Basha komentoi sot deklaratat e bëra një ditë më parë nga ish-kryeministri Sali Berisha gjatë “foltores” me demokratët e Fierit.

Basha tha se nuk ka për të pasur Referendume dhe Kuvende në PD që marrin në shqyrtim vendimet e qeverisë amerikane. Deklarata e tij vjen një ditë pasi ish-kryeministri Berisha njoftoi mbledhjen e firmave të demokratëve për mbajtjen e një Kuvendi në PD.

PRONONCIMI I BASHËS

Pyetje: Berisha ju akuzoi për pazar me Ramën. Si do t’i përgjigjeni?

Basha: Për 8 vite me radhë Edi Rama më ka akuzuar për kukull të Sali Berishës. Dje, Sali Berisha më ka akuzuar për peng të Edi Ramës. E para është gënjeshtër, e dyta nuk do të ndodhë kurrë. Të dyja janë dy anë të të njëjtës medalje. Partia Demokratike po ecën përpara, Partia Demokratike do t’i prijë betejës popullore  për ndryshim që vjen vetëm përmes largimit të këtij regjimi dhe kthimit të vendit në shinat e demokracisë të cilat sigurojnë një jetë të mirë për çdo shqiptar. Ky është misioni i Partisë Demokratike, ky është misioni i çdo demokrati, ky është misioni im dhe këtij do t’i qëndroj me përkushtim deri në arritjen e objektivave që nuk janë thjesht partiake, por janë partiake.

Pyetje: A ju keni bërë presion kryetarëve të degëve?

Basha: Sa u përket pretendimeve për referendume dhe kuvende, kuvend të Partisë Demokratike për të marrë nën shqyrtim vendimet e qeverisë amerikane nuk ka për të patur. Objektivat tona janë përballja me Edi Ramën dhe regjimin e tij dhe e gjithë energjia jonë është e fokusuar këtu.

Pyetje: Si do ta ndaloni Kuvendin e z.Berisha?

Basha: Nuk ka për të patur kuvend të Partisë Demokratike që shqyrton vendimet e qeverisë Amerikane.