Nga votimi për “Veting”-un te reforma territoriale/ Taulant Balla: Nuk kemi kushte për PD-në. Dora jonë është e shtrirë për bashkëpunim


Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla në një prononcim për mediat deklaroi se mazhoranca nuk ka asnjë kusht për t’u ulur në tryezë me opozitën për miratimin e reformave që kërkojnë bashkëpunim në Kuvend.

I pyetur se deri në ç’pikë është e gatshme të lëshojë mazhoranca, Balla tha: “Asnjë çështje nuk është tabu për t’u diskutuar, të gjitha kërkojnë të diskutohen. Këto diskutime nuk bëhen përmes mikrofonave. Unë them të mos humbim kohë, këto janë çështje që kërkojnë shumë kohë. Kohë të shkruhen dhe procedura parlamentare për t’u sanksionuar. Ne nuk kemi asnjë kusht për t’u ulur në tryezë, por e njëjta gjë duhet të vlejë edhe për palën tjetër”.

Ajo që tha Rama është e qartë, dora jonë ka për të vazhduar të qëndrojë e shtrirë. Ne sot kemi rënë dakord me Konferencën e Kryetarëve me z. Rushaj për disa ndryshime në rregulloren e Kuvendit. 8 komisione janë shumë pak për një punë efektive. Them të kalojmë në 12 komisione”, u shpreh ai.

Duke folur për shtyrjen e afateve të institucioneve të drejtësisë Balla tha: “Ky është një diskutim që ka vijuar në Kuvendin e Shqipërisë për më shumë se një viti. Ka qenë një rekomandim edhe i atyre që monitorojnë reformën në drejtësi, pra i partnerëve të drejtësisë. Të mos harrojmë që ka pasur një vlerësim të komisionit të Venecias për ruajtjen e barazisë në një proces, të gjithë magjistratëve që kalojnë në Veting. Në këtë këndvështrim, është rekomanduar që ashtu sikurse janë vetuar sot rreth 400 e ca prokurorë dhe gjyqtarë, edhe pjesa e mbetur të shkojë në të njëjtën test. Në vlerësimin tim do të duhen jo më shumë se 2 vite. Propozimi që kemi diskutuar me kryetarët e komisioneve është duke qenë se ndryshimet në Kushtetutë, kërkojnë rreth 2 muaj , ne të marrim kohën e nevojshme për t’i draftuar. Dua t’ju sqaroj që ekspertët ligjorë na kanë rekomanduar që këto ndryshime janë kushtetuese”.

Sa i takon debateve që shkaktoi vendimi i Konferencës së Kryetarëve për zhvillimin e Komisioneve Parlamentare online Balla u shpreh: “Rregullorja thotë që kryesitë e komisioneve vendosin për rregullimin. Këtu nuk ka asnjë lloj përpjekje për të vrarë parlamentarizmin, për të mos i dhënë hapësirë opozitës. Unë mendoj që le të vijojë puna normalisht, në cilindo rast që opozita do kërkojë që mbledhjet të jenë në mënyrë tradicionale vendimi i konferencës së kryetarëve është i qartë. Kuvendi i Shqipërisë duhet të japë mesazhin e parë të kujdesit”.