“Poezia është gjuha universale që njeriu përdor me natyrën dhe veten”, ajo është ecenca që karakterizon shpirtin e cdo autori.
Behare Daja Kasa vetëm pak ditë më parë ka lancuar në treg 2 vëllime me poezi të titulluar “Buzeqeshja dhe Prelud”.
Autorja edhe pse jo një emër i njohur për publikun synon të depërtoj në letrat shqipe falë unikalitetit të saj. Prej gati dy dekadash ushtron në devotshmëri profesionin e mësueses së gjuhë-letërsisë në qarkun e Tiranës.
Natyrisht poezia ka një vend të rëndësishëm në zemrën e saj ku ajo gjen veten dhe pse jo shprehet më mirë.
Njeriu në jetë përpiqet të bëjë më të mirën e tij në çdo aspekt, përpiqet që me të gjitha mundësitë e mënyrat të realizojë ëndrrat e tij, të cilat shpeshherë ngelen veç “ëndrra në sirtarët e tij të fshehtë”.
“Shpeshherë në përditshmërinë tonë rutinë mundohemi të fshehim atë që ndjejmë, e në pamje edhe ia dalim, por në vargje nuk mund ta fshehim, sepse në një mënyrë apo në një tjetër, shpirti ngre krye e mes forcës së vargut jemi po ne vetë, që dashur padashur zbulojmë ndjenjën që kemi përbrenda, delikatesën, trishtimin, lumturinë, e rebelizmin ndaj gjërave që na rrethojnë në përditshmërinë tonë e ndaj fenomeneve të ndryshme që na shoqërojnë.
Fatmirësisht vargu poetik e forca e fjalës është e drejtpërdrejtë dhe me gjuhën e saj, me lojën e fjalëve, me mjeshtërinë e realizimit të lidhjes së tyre në strukturë, metrikë, figuracion e stilistikë, vetë fjala mjekon, plagos a vret fenomenin. Nuk pretendoj që i kam arritur tërë këto që po them, por në një gjë jam e sigurtë. Në to, në mënyrën time, kam derdhur e pikturuar shpirtin tim. Shpeshherë do të doja t’i rikthehesha edhe një herë për t’i dhënë një frymë tjetër apo dhe një ndërtim të ri. Njeriu shumë herë nuk kënaqet me atë që bën dhe në brendinë e tij thotë: “Pse dreqin nuk e bëra kështu”? Përherë ka diçka që nuk e arrijmë dot e drejt së cilës ecim me duar të zgjatura duke u përpjekur ta kapim. Dhe kjo të shtyn që të shohësh ku ke gabuar, të përmirësohesh e pse jo edhe të sjellësh risi në rrugën tënde”, thote autorja.