Rihapet çështja “Gërdeci”. Gjykata e Posaçme vendos rigjykim për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu. SPAK iu drejtua në muajt e parë të vitit Gjykatës së Lartë me kërkesën për revokimin e vendimit të 2009 që pushoi çështjen ndaj Mediu me arsyetimin se nuk mund të gjykohet pasi ishte me imunitet.
SPAK kërkon revokimin e vendimit të Gjykatës së Lartë dhe rinisjen e gjykimit për ish-ministrin e Mbrojtjes për akuzën e shpërdorimit të detyrës në lidhje me tragjedinë e Gërdecit ku nga shpërthimi i punishtes së demontimit të armëve mbetën 26 të vrarë dhe qindra të plagosur. Sot Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të revokojë pushimin e vendimit të Gjykatës së Lartë.
“Me referimin në parashikimin e pikës 1, shkronja b), të nenit 46, të ligjit 98/2016 “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” si dhe, në interesin e treguar nga media, komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 24.09.2021, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, mbi ankimin e Prokurorit të Posaçëm dhe të trashëgimtarëve të viktimës E.D., u zhvillua seanca gjyqësore në dhomë këshillimi, për çështjen penale nr. 212 akti, datë 03.09.2021 regjistrimi, ku Gjykata vendosi, të ndryshojë vendimin nr. 60, datë 27.07.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar kërkesën e Prokurorit të Posaçëm dhe revokoi vendimin e pushimit nr. 6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke i kthyer aktet Prokurorit të Posaçëm për të proceduar”.
“Është një vendim i pritshëm dhe i kënaqshëm, kisha kaq vite që prisja, por gjithsesi ka ende shumë pengesa të tjera për të arritur atë që kërkoj. Ka hapa të tjerë për të vijuar kjo histori. Do kthehet dhe njëherë tjetër në SPAK, do ketë tjetër dhomë këshillimi”.
Kështu deklaroi në një lidhje telefonike me Neës24, Zamira Durda që humbi djalin e saj në tragjedinë e Gërdecit, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për të rihapur këtë dosje dhe për të rigjykuar ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu.
Durda tha se është një lajm i mirë dhe se kërkon një vendim përfundimtar gjykate.
“Është një hap i mirë, për të gjithë. Një lajm i mirë për të gjithë që të paktën të ketë një ndëshkueshmëri. I kam parashtruar të gjitha kërkesat e mia nëpërmjet avokatit edhe pse nuk isha e pranishme.
Këtë kam pritur se për gjithë këtë kohë 14 vjet, kam qenë në të gjitha institucionet dhe shpresa e fundit ishte tek SPAK që unë vura në lëvizje SPAK. Kjo është ajo që prisja, rihapje dhe të ketë një vendim gjykate, a i fajshëm, a i pafajshëm se na bënin karshillëk gjatë gjithë kohës”, tha Durda.
Ajo shtoi se djali i saj sot do ishte 21 vjeç, duke shtruar pyetjen se përse nuk jeton fëmija i saj?!
“Gjithë këto kohë e kaluar me një dhimbje shumë të madhe e duke mos marrë dhe drejtësi dhimbja sa vjen e shtohet. Është dyfishuar dhimbja me mospasjen e drejtësisë. Djali im do ishte sot 21 vjeç, përse nuk jeton fëmija im. Kjo gjë më mundon nga dita në ditë, sa më shumë vite kalojnë dhimbja ime shtohet”, tha Durda.
Avokati i Fatmir Mediut
Përfaqësuesi ligjor i Fatmir Mediut, Ardian Visha e ka cilësuar një antikushtetues vendimin e Apelit të GJKKO për të rihapur dosjen “Gërdeci”.
Për Vishën është hera e parë që një gjyqtare e një gjykate të nivelit më të ulët prish vendimin e Gjykatës së Lartë.
Ai thekson se një reagim me transparencë do të ketë pasi pala mbrojtëse të njihet me arsyetimin e vendimit.
Ne cilesine e perfaqesuesit ligjor te z Fatmir Mediu shpreh sa me poshte:
Vendimi i deklaruar ne media nga Gjyqtarja e Apelit te Posacem, perben nje akt jo Kushtetues dhe pluri-shkeles të Konventes Europiane Per te Drejtat e Njeriut dhe nje sere ligjesh te tjera te vendit..
Ai(vendimi) perben nje pavlefshmeri absolute e ne cdo rast baza motivuese e tij nuk mund te jetë kurre ligji.
Eshte hera e pare ne jurisprudence kur nje gjyqtare e nje gjykate te nivelit me te ulet prish vendimin e Gjykates Larte!!
Vec të tjerave shkelja e ligjit është e dukshme , sepse e njejta ceshtje(kerkese) eshte shqyrtuar dhe hedhur poshte nga gjykata e shkalles pare dhe gjykata e apelit, Tirane në vitin 2019.
Ky vendim hapur cenon parimin e sigurise juridike, parimin e gjese se gjykuar, parimin e ligjit favorizues dhe per me teper synon procedimin per nje akuze afati parashkrues i se ciles ka kaluar me kohe.
Pasi te njihemi me “ arsyetimin” e ketij akti te paligjshem, do reagojmë me transparencë e me te gjitha mjetet ligjore të përshtatshme.
Avokat Ardian Visha
Avokati i familjarëve 👇
Avokati i familjarëve që u prekën nga tragjedia e Gërdecit, Dorian Matilija, tha në një lidhje me “Skype” për News24 se hapja e gjykimit ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, nuk është një lojë dhe as show, dhe se ai beson te drejtësia e re.
Avokati tha se familjarët e viktimave të tragjedisë janë gati për këtë betejë dhe kanë dosjen me të gjitha provat. Nga ana tjetër, e ftuar në studio, gazetarja Klodiana Lala deklaroi se kjo është një dosje që përfshin jo vetëm zyrtarë të thjeshtë, por është një histori korrupsionin shtetëror e nivelit të lartë.
Pjesë nga diskutimet:
Avokati i familjes Durdaj: Është një lajm i mirë heqja e pengesës për të vazhduar gjykimin. Ky është një hap paraprak, që i ka hapur rrugën hetimit, i cili është pritur prej kohësh. Ky është një proces shumë i koklavitur dhe ka shumë prova, që duhet të merren në shqyrtim. Hetimi nuk do të jetë aspak i lehtë.
Lala: Çfarë mendoni ju si avokat, cila do të jetë strategjia që do të ndjekë ish-ministri Mediu?
Matlija: Mendoj se do të bëjë ankim në Gjykatën e Lartë. Më pas, kjo nuk është se do të afektojë detyrimisht zhvillimin e gjyqit, që do të bëhet me kërkesë të SPAK. Janë një tërësi veprimesh për t’u kryer, që tani janë të paparashikueshme.
Lala: Avokati i Mediut ka ngritur një pretendim, se nuk mund të revokohej një vendim i Gjykatës së Lartë, pasi sipas tij, kjo e fundit është një gjykatë supreme. Aktualisht që ne flasim, në momentin që gjyqtarja do të shqyrtojë këtë vendim dhe do ja dërgojë SPAK, kjo e fundit ka për detyrë ta marrë vendimin dhe ta çojë më pas te Gjykata e Posaçme. Pra, ne kemi një gjykatës paraprak që do të vlerësojë nëse ky vendim do të kalojë për gjykim.
Matlija: Ne jemi gati për këtë luftë, kemi qenë gjithmonë gati për një betejë të tillë. Në momentin e seancës paraprake, ende nuk futet pozicioni i familjarëve të viktimave. Ne kemi dosjen me prova, e kemi marrë që më 2009, na e ka dhënë prokuroria me DVD, me të gjitha materialet.
Lala: Mediu mund t’i drejtohet Gjykatës së Lartë, për t’i kërkuar pezullimin e nisjes së hetimit në Shkallë të Parë dhe kjo gjë do të ndodhë. Për momentin, të gjitha gjasat janë që kjo dosje do të mbërrijë në Gjykatën e Lartë. Kjo ka qenë një ndër dosjet më të bujshme në 15 vitet e fundit. Nuk dihet nëse Mediu është fajtori i vetëm, por tragjedia e Gërdecit nuk ndodhi me përfshirjen e disa zyrtarëve të thjeshtë, por është një histori korrupsioni shtetëror. Nuk marr guximin ta them nëse Mediu është fajtor. Unë si gazetare kam konstatuar në sallën e gjyqit se ka shumë detaje e fakte për përfshirje në nivele të larta. Jam e mendimin se për atë dosje nuk është bërë drejtësi dhe e inkurajoj drejtësinë e re të bëjë drejtësi. Do më dhimbte shumë nëse drejtësia e re po bën një show, thjesht për të bërë sikur funksionon. Nëse e kanë marrë seriozisht këtë çështje, le të zbardhet, fajtorët të shkojnë para drejtësisë. Kjo dosje do të dojë rrugën e saj.
Matlija: Nuk besoj se është një show, do të ishte show nëse nuk do të ishte motivuar nga familjarët. Nuk besoj se kjo është një lojë e politikës apo e drejtësisë së re. Situata është e çiltër. Besoj se do të bëhet drejtësi. Unë dua që çështja të gjykohet dhe të zbardhet e vërteta.