Në lagjen “18 tetori” në qytetin e Lushnjës e cila ka një numër të konsiderueshëm banorësh, problem me mosfunksionimin e kanaleve kulluese e vaditëse është kthyer në ‘mankth’ për ta.
Më herët kjo lagje ka pasur edhe më shumë banorë si shkak i funksionimit të stacionit të trenit.
‘Fax News’ raporton se banorët janë të shqetësuar pasi mospastrimi i kanalit kullues dhe vaditës po bashkon ujërat e zeza dhe po u shkatërron banesat me krijimin e lagështirës.
Mungesa e investimeve në rrugë, ujësjellës, kanalizime dhe mirëmbajtjen e kanaleve kulluese e vaditëse por edhe ndriçimit po ashtu është një tjetër shqetësim prej vitesh.
Banorët thonë se prej 15 vitesh kjo lagje e madhe nuk njeh asnjë investim dhe shpesh herë gjatë dimrit ata ndeshen dhe me fenomenin e vjedhjes. Familjet që kanë shtëpitë pranë këtyre kanaleve thonë se banesat po u rrënohen dhe po u bien suvatimet.
Një nga banorët tha se ai ka denoncuar këtë problem por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Banorët kanë pyetur dhe në Bashki por nuk është marrë asnjë masë konkrete për shumë se 15 familje të prekura.