Gjykata e Apelit në Tiranë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin dhe ka dënuar me 8 vite burg një 50-vjeçar, i cili kishte përdhunuar për 3 vite me radhe vajzën e tij.
Shtetasi Shkëlqim Isufi, i cili u arrestua më 9 korrik të vitit 2019 pas një videoje të publikuar në media, u gjet fajtor dhe ndaj tij u ngritën akuzat për “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç” dhe “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose nën kujdestari”.
Për këto dy akuza ai u dënua me 12 vite burg nga Gjykata e Shkallës së Parë, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, përfitoi ulje të dënimit. Referuar dosjes hetimore thuhet se përmes aktit të ekspertimit mjekoligjor është arritur të provohet se 50-vjeçari ka kryer marrëdhënie seksuale me vajzën që në moshën 15- vjeçare.
Rasti i parë i abuzimit ka ndodhur në Gjermani gjatë kohës që familja nga Shullazi i Kurbinit po kërkonte azil në këtë shtet. Sipas dëshmisë së vajzës, babai e kishte marrë dhe shkuar në një zonë të pabanuar, duke e lidhur në një pemë e kryer marrëdhënie seksuale me të në kohën kur ajo kishte qenë në moshën 15-vjeçare.
Më pas abuzimi me dhunë ka qenë i vazhdueshëm dhe duke mos gjetur zgjidhje tjetër, kur u kthyen në Shqipëri, vajza vendosi të denoncojë të atin në media. Ajo bëri publike një video ku tregohej kryerja e marrëdhënieve seksuale me të, prej babait të saj. Bazuar në këto të dhëna, shërbimet e Policisë Gjyqësore kanë kryer veprimet e nevojshme hetimore rreth këtij rasti, duke identifikuar dhe prangosur autorin që kryente akte të turpshme me të bijën.
DOSJA HETIMORE
Rasti u denoncua publikisht më 9 korrik të vitit 2019 dhe sipas vendimit të gjykatës, dhuna ka nisur që kurse vajza ishte në moshën 15-vjeçare dhe kërkonin azil në Gjermani. Duke qenë se e reja kishte krijuar një lidhje me një të ri nga Kosova, babai i saj ka shfrytëzuar këtë moment për të abuzuar me të bijën në vende dhe ambiente të ndryshme. Vajza ka deklaruar se pas çdo abuzimi, babai i saj i ka thënë se ishte hera e fundit.
“Në një regjistrim tjetër, babai i saj, i pandehuri, me insistim kërkon të kryejë marrëdhënie seksuale në ambientet e shtëpisë së tyre, por ajo nuk pranon. Gjatë regjistrimit të bisedave mes të pandehurit dhe të dëmtuarës, në ambientin e një bar-kafeje, në një ballafaqim mes së dëmtuarës, të atit dhe së ëmës, vajza i bën me dije së ëmës dhunimin nga i ati dhe në këtë ballafaqim, e ëma shprehet se do t’i kërkojë të atit që të mos e dhunojë më vajzën, duke u sjellë ajo në këtë mënyrë sikur nuk kishte ndodhur gjë.
Gjatë këqyrjes së transmetimeve audio-vizive janë transkriptuar pjesë të komunikimeve mes babait të vajzës dhe kësaj të fundit, ku pasqyrohet qartë insistimi i tij për të kryer marrëdhënie seksuale, si dhe pohohet dhe pranohet kryerja e marrëdhënieve seksuale në mënyrë të përsëritur. Po ashtu, bazuar dhe referuar shprehjeve të vajzës në komunikim me babanë e saj, tregohet qartë se këto marrëdhënie seksuale janë kryer pa dëshirën e saj dhe me dhunë, duke u përdorur edhe mjete të tilla si litarë, zinxhirë etj.”, thuhet në dosjen hetimore për rastin.
Vajza tërhoqi denoncimin, babai e abuzoi sërish
Para se vajza të denonconte publikisht abuzimin seksual nga babai i saj, kishte bërë një denoncim më herët në Polici. Adoleshentja kishte kontaktuar përmes “Facebook”-ut një avokat, i cili kishte bërë kallëzim në organet përkatëse. “Menjëherë ka filluar hetimi për këtë ngjarje, por gjatë hetimit, e dëmtuara është tërhequr nga kallëzimi, pasi nuk ka pasur prova konkrete për të provuar dëshminë e saj, duke deklaruar se nuk ishin të vërteta ato që i kishte treguar avokatit. Por pas një muaji kur ajo kishte tërhequr kallëzimin penal, i ati ka kërkuar sërish të kryejë marrëdhënie seksuale me të dhe edhe pse e dëmtuara nuk ka dashur të kryejë marrëdhënie, ai ka përdorur forcën duke e realizuar qëllimin e tij”, thuhet më tej
NËNA MOHOI ABUZIMIN
Pavarësisht se vajza i kishte shprehur nënës së saj abuzimin që po ndodhte me të, ajo nuk e kishte besuar në asnjë rast dhe madje kishte pretenduar se vajza e kishte stisur pasi ai nuk e linte të dilte me shoqërinë. “Gjithashtu, ajo ka pretenduar se ka diskutuar për këtë gjë me bashkëshortin e saj, Shkëlqim **, por ky i fundit ka mohuar çdo gjë në mënyrë kategorike. Policia Gjyqësore në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e ngjarjes, ka kryer transkriptimin e plotë të bisedave mes babait dhe vajzës, nga ku rezulton qartësisht kryerja e marrëdhënieve seksuale mes babait dhe vajzës, disa herë dhe kundër dëshirës së vajzës”, thuhet më tej. Shkëqlim Isufi u arrestua nga Policia pak orë pas transmetimit të pamjeve në emisionin “Fiks Fare”.