Qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile janë mbledhur këtë pasdite për të protestuar kundër rritjes së çmimeve. Duke sfiduar kushtet atmosferike, ata janë mbledhur përpara Kryeministrisë.
Aktori Florjan Binaj përpara qytetarëve, kërkoi që të mblidhen për të ndryshuar situatën.
“Të gjithë e duam Shqipërinë si Evropa, por vetëm naftën kemi si Evropa. Të gjithë e duam Shqipërinë si Evropa, por vetëm çmimet e shtëpive dhe qirave kemi si Evropa. Të gjithë e duam Shqipërinë si Evropa, por vetëm ujin dhe dritat i kemi si Evropa. Hajdeni të mblidhemi ta bëjmë këtë vend dhe të mos rrimë me atë shprehjen shyqyr që na dhj** zogu dhe të na e bëjë zoti mbarë,” u shpreh Binaj.
Pedagogu Ervin Goci, gjithashtu u kërkoi qytetarëve që të mblidhen pasi situata është e rëndë. Goci tha po ashtu se protestat duhet të vazhdojnë çdo ditë. “Unë kërkoj të protestojmë sepse situata është e rëndë. Nëse nuk solidarizohemi do të biem të gjithë në gropë dhe do ta mbajmë në sup për vite,” u shpreh ai.
Protesta e sotme u zhvillua e qetë, pa incidente. Pavarësisht kushteve të pafavorshme atmosferike pjesëmarrja ka qenë e madhe. Qytetarët kanë kërkuar uljen e çmimeve të shportës dhe karburantit.
Nuk dihet ende ecuria e protestës. Lidhur me këtë çështje protestuesit duket se janë të dyzuar, disa prej tyre bënë thirrje q ëtë mblidhen sërish të hënën e ardhshme në të njëjtën orë, ndërsa të tjerë bënë thirrje që protesta të jetë e përditshme.