Deputeti Flamur Noka është shkarkuar këtë të hënë si Nënkryetar i Komisionit të Sigurisë në Partinë Demokratike.
Partia Demokratike njofton se kryetari Lulzim Basha gjithashtu e ka paralajmëruar Nokën për përjashtim nga grupi parlamentar i demokratëve.
Arsyeja e këtij vendimi sipas selisë blu, është shndërrimi i mbledhjes së Kryesisë së Grupit në një laborator të prodhimit të gënjeshtrave dhe akuzave ndaj krydemokratit Lulzim Basha.
Në njoftimin për media, PD sqaron se këto shpifje dhe sajesa të përsëritura dëmtojnë interesin e partisë dhe të demokratëve dhe zhvendosin vëmendjen e opozitës në betejën e tyre politike.
NJOFTIM PËR SHTYP I PARTISË DEMOKRATIKE
Sot Kryetari i PD Lulzim Basha i ka komunikuar shkarkimin nga funksioni i Nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë Flamur Nokës, si dhe e ka paralajmëruar për përjashtimin e tij nga Grupi Parlamentar.
Arsyeja e këtij vendimi është shndërrimi i mbledhjes së Kryesisë së Grupit në laborator të prodhimit të gënjeshtrave për të baltosur Kryetarin dhe Partinë Demokratike, duke sajuar diskutime apo qëndrime, të pathëna dhe të paqena. Këto shpifje dhe sajesa të herëpashershme dhe të përsëritura, dëmtojnë interesin e Partisë Demokratike dhe të demokratëve, duke shfokusuar vëmendjen e betejës së opozitës ndaj të vetmit kundërshtar që është armiku i Shqipërisë dhe shqiptarëve Edi Rama.
Shkarkimi i Nokës vjen një ditë pasi ai është përfshirë në një debat në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së ditën e djeshme. Panorama.al ka zbardhur një pjesë të debatit ku kryedemokrati Lulzim Basha ka bërë thirrje që anëtarët dhe drejtuesit e komisioneve parlamentare duhet të mblidhen dhe të diskutojnë me njëri-tjetrin mbi planin e punës.
Ndërsa deputeti Flamur Noka i është përgjigjur se këto janë procedura burokratike teksa i është drejtuar me akuza kreut të partisë duke e akuzuar për pazare me kryeministrin Rama.