Prioritet uji 24 orë apo satelitët? Rama: Nuk do t’i çojmë në Mars! Do vendosim kontroll mbi territorin

Një ditë pasi deklaroi në Kuvend se vitin e ardhshëm Shqipëria do të dërgojë satelitë në orbitë, kryeministri Edi Rama sqaroi se nuk bëhet fjalë për kërkime shkencore në mars, por për vendosjen e kontrollit në territor.


Kreu i qeverisë theksoi se përmes dronëve inteligjentë dhe satelitëve do të monitorohen fatkeqësitë natyrore, si zjarri, apo keqbërjet në mjedis, si ndërhyrjet në lumenj apo prerjet e pyjeve.

Pyetje: Satelitë në orbitë, sa do të kushtojnë?

Rama: Kini durim. Qeshni, sepse e qeshura shëndet është dhe u bën mirë të gjithëve. Shqipëria do ketë satelitë dhe do ti ketë shpejtë, për të forcuar kontrollin mbi territorin. Do ketë edhe dronë inteligjentë që do na ndihmojnë për ta çuar vendin në një nivel tjetër. Janë mjete të një teknologjie të re, që garantojnë një monitorim të territorit për shumë gjëra, nga kufijtë, te ndërtimet, te monitorimi lidhur me informacionin që u duhet strukturave për luftën kundër trafiqeve, çuarjen deri në fund të përpjekjeve për të zëruar kultivimin e lëndëve narkotike, të mbjellat e bujqësisë, për të luftuar krimin e organizuar duket pasur kapacitete monitoruese. Nuk do bëjmë asgjë që ndodh për herë të parë në Shqipëri, vende të tjera të zhvilluara e bëjnë këtë gjë. Nuk ka nevojë të jesh një vend i zhvilluar për të bërë një kapërcim epokal. Shqipëria do ti ketë satelitët e saj dhe do ti ketë shpejt, edhe dronet inteligjent. Do rrisë kontrollin për zjarret, emergjencat civile. Do jetë një përdorim për çështje që kanë të bëjnë me punët civile dhe luftën ndaj krimit të organizuar. Nuk do jenë të natyrës së ofensivave ushtarake.

Pyetje: Kush është prioritare për qeverinë, uji 24 orë apo satelitët?

Rama: Po nëse u them që satelitët lidhen edhe me ujin 24 orë, çfarë do thoni?! Të gjitha bashkë. Ideja meqë nuk kemi ujë 24 orë, nuk duhet ta kontrollojmë territorin është e gabuar. Përmes dronëve dhe satelitëve do kemi një kontroll. Do kontrollojmë ndërhyrjet e paligjshme në shtretërit e lumenjve, do monitorojmë në kohë reale mjedisin, mbetjet, dhe prerjen ilegale të pyjeve. Nuk do çojmë satelitë për kërkime në Mars. Na duhet sy inteligjent për të pasur në kohë reale informacion mbi territorin tonë. Gjithkush që cenon territorin duhet të ketë parasysh që është duke e parë dikush tjetër që nuk mund të kompromentohet…