Debatet në Kuvend/ PD akuza ministres së Transporteve: U takove në Turqi me CEO-n e kompanisë që fitoi tenderin e tunelit të Llogorasë


Nga: KELMENT BAÇI

Rritja e çmimit të energjisë dhe tenderët për projektet e rrugëve shkaktuan debate të forta dhe akuza e kundërakuza mes deputetëve të maxhorancës dhe opozitës.

Dy tenderët e fundit të qeverisë, ai për ndërtimin e tunelit të Llogorasë dhe ai për “Unazën e Tiranës”, kanë qenë në fokusin e akuzave të deputetëve të PD-së për shpërdorimin e parave publike, në ato që ata i kanë cilësuar si korruptive. Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, gjatë fjalës së tij të mbajtur në seancën parlamentare u ndal tek aferat korruptive të qeverisë.

Ai u shpreh se në mënyrë të përditshme në Shqipëri po ndodhin afera korruptive, të cilat denoncohen sa nga media dhe sa nga opozita. Nga foltorja e Kuvendit, ai u ndal specifikisht te tenderi i “Unazës së Tiranës”, ku theksoi se në garën e zhvilluar ka fituar oferta më e lartë, me 17.4 milionë euro më shumë.

“Urdhëroni sot, vetëm tek ‘Unaza’ 17.4 milionë euro fiton oferta më e shtrenjtë. Përpara dy ditësh, OSHEE-ja 10 milionë euro më shtrenjtë se sa çmimi i tregut. Përditë skandale korruptive të denoncuara sa nga opozita, sa nga media dhe sa nga qytetarët të cilët kanë cilësi mizerabël në shërbime, qoftë ato shëndetësore, qoftë ajo në arsim, qoftë në kushtet e papërballueshme të vendeve të punës”, tha Salianji. Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, duke folur në Kuvend për krizën energjetike tha se furnizimi me energji është prioritet për qeverinë dhe nuk do të ketë rritje te çmimit për qytetarët dhe biznesin e vogël, ndërsa çmimi i energjisë është ulur krahasuar e qeverisjen e PD.

“Në vitin 2013 humbjet ishin 45 për qind, do kishim ne mundësinë të bënim këto që po bëjmë? Absolutisht jo. E dini sesa ka qenë humbja për shkak të menaxhimit tuaj të keq? 1,1 miliardë euro! Si vini këtu diskutoni pas asnjë lloj reference teknike për 10 milionëshin, thoni keni blerë 10 milionë euro më shumë. Faturat e papaguara? I kishit mbi 60 mijë fatura afrofe. Sot, janë 1 milion e 200 mijë abonentë, 800 mijë paguajnë rregullisht. Janë 200 mijë familje që ne i mbështesim për çmimin e energjisë elektrike. E dini çfarë bëtë ju me çmimin e energjisë elektrike? E morët 4.5 lekë, e çuat 7.7 lekë. Dhe kë subvencionuat? Subvencionuat CEZ-in. Ne e ndryshuam logjikën e çmimit, hoqëm fashën, sepse hynin edhe të gjithë oligarkët, siç i referoheni ju, që përfitonin nga fasha. Dhe çfarë ndodhi? E ulëm çmimin nga 13.5 lekë në 9.5 lekë/kilovat. Është ulur çmimi i energjisë. Nuk e rrisim çmimin e energjisë, thoni çfarë të doni”, tha Ahmetaj.

Seanca parlamentare u shoqërua me akuza dhe kundërpërgjigje për tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogorasë. Deputeti i PD-së, Arbi Agalliu, e pyeti Ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku se përse është takuar me CEO-n e kompanisë turke, e cila fitoi tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogorasë, katër muaj përpara shpalljes së tij. “Te faqja zyrtare e pronarit apo CEO-së së kompanisë që fitoi tenderin e Llogorasë, katër muaj para datës së shpalljes së tenderit kemi një foto të tij me Kryeministrin Edi Rama dhe ministren Belinda Balluku që patjetër mund të ketë qenë takim pune. Pyetja ime është a keni shkuar në zyrat e kompanive të tjera që kanë aplikuar në tender për t’i takuar sikurse këtë? Ndoshta është biznesmen i nderuar, por ndryshe nga etika e biznesit ka në foto profili Presidentin turk”, pyeti Agalliu.

Nga ana e saj, ministrja Balluku iu përgjigj akuzave dhe pyetjes duke u shprehur se: “Verifikojeni mirë foton se nuk është foto në zyrat e ndonjë kompanie, është vizitë zyrtare në Ankara dhe me të thënë të drejtën unë nuk mbaj asnjëherë shënime apo listën me kë takojmë apo bëjmë fotot. Prandaj verifikojeni mirë”.

Edhe deputeti PD-së, Bujar Leskaj, hodhi akuza se përse ishte zgjedhur oferta më e lartë për këtë tender, ndërsa theksoi se opozita do t’i shkojë deri në fund kësaj çështje, duke mbështetur dërgimin në SPAK. “Ministria e Infrastrukturës për tunelin e Llogorasë zgjodhi ofertën më të lartë 170 milionë euro dhe me të drejtë deputeti i Shkodrës, Helidon Bushati, e denoncoi këtë fakt duke paralajmëruar për kallëzimin penal për 12 milionë euro. Më vjen mirë që këtu është dhe ministrja, dua t’ju kujtoj deputetë që në mars të vitit 2021 ky prokurim, ministria, autoriteti përgjegjës ka refuzuar një ofertë me vlerë 110 milionë euro të një kompanie turke nëse do bëjmë këtë llogari. PD-ja dhe të gjithë ne deputetët e Vlorës do i shkojmë deri në fund”, shtoi Leskaj.

Por, akuzave të opozitës, për tunelin e Llogorasë dhe paralajmërimit nga PD-ja se këtë çështje do ta dërgojë në SPAK, ministrja Balluku u është përgjigjur duke thënë se janë të lirë ta çojnë në SPAK, pasi dosjet sipas saj janë transparente. Ministrja nënvizoi se ofertën e parë e refuzuan sepse nuk plotësonte dokumentat.

“Nëse PD-ja ka në plan ta çojë në SPAK, le ta çojë. Si qytetar duhet të jeni të lumtur që do të ndërtohet tuneli i zonës tuaj ku dhe keni konkurruar. Duhet të jeni më i saktë kur akuzoni, pasi thatë që në tenderin e parë nuk plotësonte dokumentet. Dhe në detyrën që keni qenë, së pari kontrollonit dokumentet. Kur nuk ka asnjë lloj letre, duhet ta japim thoni ju? Unë mendoj që jo. Vlerësimi është me pikë dhe vlerësohet pjesa e parë që ka të bëjë me eksperiencat e mëparshme. Dosjet janë transparente dhe mund t’i dërgoni në SPAK”, ka thënë Balluku.

Marrë nga Gazeta Panorama