KELMENT BAÇI/ Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, i ka kërkuar Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit që të nisë sa më shpejt shembjen e të gjitha objekteve që nuk legalizohen në të gjithë territorin e vendit.
Gjatë një takimi me drejtuesit e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, pas kalimit të saj nën varësinë e dikasterit që drejton, ministri Çuçi i ka dhënë ultimatum IKMT-së që duhet të fillojë edhe me shembjen e ndërtimeve që janë skualifikuar nga procesi i legalizimit.
Në vijim të operacionit “Bregdeti ynë”, ministri i Brendshëm u shpreh se ky nuk është një aksion, por një proces i pakthyeshëm për t’i dhënë fund njëherë e mirë zaptimit të territorit dhe pastrimit nga ato që ai i quajti “çibanët” e ngritur vend e pavend.
“Me drejtuesit e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit ndava domosdoshmërinë e vijimit të punës për kontrollin e plotë të territorit nga ndërtimet pa leje apo çdolloj ndërhyrjeje që dëmton mjedisin. IKMT është një nga agjencitë më të rëndësishme. Jo më kot e kaluam në varësi të Ministrisë së Brendshme, sepse duam një strukturë shumë të fortë reaguese në terren për të kontrolluar territorin nga ndërtimet pa leje dhe dëmtimi i mjedisit. Teksa po vijon operacioni ‘Bregdeti ynë’, IKMT do duhet të fillojë edhe me shembjen e ndërtimeve që janë skualifikuar nga procesi i legalizimit. E kam thënë vazhdimisht dhe dua ta përsëris sërish: nuk kemi të bëjmë me një aksion, por ky është një proces i pakthyeshëm për t’i dhënë fund njëherë e mirë zaptimit të territorit dhe pastrimit nga çibanët e ngritur vend e pavend”, tha Çuçi.
Ministri i Brendshëm kërkoi gjithashtu një bashkëpunim më të mirë të IKMT-së dhe Policisë së Shtetit kur është fjala te kontrolli i territorit dhe në mënyrë të veçantë, te ndërtimet e reja që bëhen dhe mbrojtja e mjedisit.
“IKMT duhet të bashkërendojë punën me Policinë e Shtetit, jo më kot do të investojmë edhe në pajisje të teknologjisë së lartë. Jeni po aq të rëndësishëm edhe për mjedisin sa te ndërtimet”, u shpreh ministri Çuçi.
Operacioni “Bregdeti ynë” nisi në muajin qershor para se zonit turistik dhe po vijon ende përgjatë gjithë vijës bregdetare nga Velipoja në Ksamil.
Në të gjithë vendin llogariten rreth 90 mijë ndërtime të cilat skualifikohen nga procesi i legalizimit për shkak se bien ndesh me kriteret e kualifikimit.
90 MIJE ndërtime pa leje rezultojnë në të gjithë vendin dhe që pritet të shemben nga IKMT-ja pas ultimatumit të dhënë sot nga ministri i Brendshëm.
Pjesa më e madhe e këtyre ndërtimeve, gati gjysma, janë në Tiranë, zonat bregdetare dhe pranë rrugëve kombëtare.
Video-Pergjimi
Në datën 20 Prill, 5 ditë para zgjedhjeve, në media u publikua një audio-regjistrim të Kreut të Kadastrës, Artan Lame, i cili në një takim me vartësit e tij i kërkon atyre që të mbajnë me shpresë pronarët e 100 mijë ndërtimeve pa leje.
Në audio dëgjohet Artan Lame, teksa thotë: “Nëse u themi që nuk legalizohen shtëpitë tuaja, i kemi hedhur direkt mish për top për kundërshtarin. Prandaj duhet t’i mbajmë varur”
Fjala e plotë e Artan Lames: Është bërë një takim tek kryeministria para rreth një muaj, për procesin e legalizimeve në vijim. Në këto 320 mijë, objekte që kanë bërë vetëdeklarim pra që janë fizikisht dosje reale, janë mbyllur rreth 150 që do të thotë kanë mbetur edhe 170 të tjera. Në këtë 170 të tjera vetëm 60. Se sapo diskutonim që parë që kjo 60 mijëshe për sa kohë i mbyllim vetëm, rreth 60 mijë bëhen. Të tjerat janë të pa bëshme ose që nuk duhen bërë se janë kriminale që do të thotë që në këtë moment na dalin rreth 100 mijë leje. 100 mijë objekte të cilët ne me vetëdije do të vazhdojmë ti mbajmë se janë njerëz po i the që nuk të bëhet ja hodhe palës tjetër, u bënë mish për top për palën tjetër, pra vazhdojmë të trajtohen do shikohet, do të trajtojmë do ta diskutojmë do të rishohim atë kur të rishihet legjislacioni.
Në momentin që ti shkon iu gërmon vetë tani edhe iu thua 100 mijë unë do i s’kualifikoj se nuk ju legalizohen këta i theve në mall për palën tjetër, atëherë u ra dakord në këtë takim që logjika është që ne do të vazhdojmë ta mbajmë situatën varur për këtë pjesë. Pra do vazhdojmë të bëjmë këtë 60 mijëshe dhe do vazhdojmë të mbajmë situatën varur. Sepse mund të ketë ndryshime nesër ligjore sepse do ta rishohim dhe njëherë e kështu me radhë. Kjo do bëjë shumë nga këta do të thonë më erdhën një herë dhe dy herë pse s’ma bënë.
Të jeni të bindur që në shumicën e rasteve qëndron kjo arsyeja pra që neve nuk duam ti themi që shtëpia jote nuk legalizohet dhe ti do prishesh. Millosheviçit ti thoja që ta legalizoj unë ai bëhet me Millosheviçin. Në rregull se ka shtëpinë të jeni të qartë. Kjo nuk përjashton faktin që ne po përgatisim nja 40 mijë objekte me bashkinë, kryesisht me bashkinë e Tiranës të cilat do ti nxjerrim për s’kualifikim masiv edhe unë po të isha kandidat atje të nesërmen do veja ti thoja që të gjithëve ditën e parë pas zgjedhjeve jeni të legalizuar edhe ikën ata u bënë me ata, natyrisht i intereson si intereson ca është politika ai thotë të shpëtojë shtëpia.”