Dy burra në fshatin Kryevidh të Rrogozhinës janë vënë në pranga për ngacmim seksual. Është policia e Durrësit që thotë se janë kallëzuar nga një 18-vjeçare. Kjo e fundit ka thënë se 40-vjeçari dhe 57-vjeçari e kanë ngacmuar seksualisht në një lokal.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Ngacmimi seksual”, shtetasit S. K., 40 vjeç dhe D. P., 57 vjeç, të dy banues në fshatin Kryevidh, pasi mbrëmjen e djeshme, ka kallëzuar një shtetase 18 vjeçe, se këta 2 shtetas e kanë ngacmuar seksualisht, në një lokal”, njoftoi policia.
Në pranga ka rënë edhe një 18-vjeçar në Durrës. Ky i fundit është kallëzuar nga një australiane 21-vjeçare se i riu ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me të.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës kanë arrestuar në flagrancë për veprën penale “Marrëdhënia seksuale me dhunë më të rritura”, mbetur në tentativë, shtetasin I. B., 18 vjeç, pasi mbrëmjen e djeshme ka kallëzuar një shtetase australiane 21 vjeçe, se ky shtetas ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me të”, njoftoi policia./tvklan.al