Atentat/ Demir Backa u vra sot në Fier, vëllai i ish-anëtarit të “Bandës së Fierit”

Atentati i sotmë në Fier, ku mbeti i vrarë Demir Backa duket se nuk vjen nga “hiçi”. 57-vjecari Demir Backa është qëlluar për vdekje nga një automjet në lëvizje.

Backa ishte pronar i nje lokali ne qender te Fierit dhe nje hoteli ne Sarande. Ndërkohë në Bypass-in e Fierit e gjend duke u djegur nje mjet që dyshohet të jetë i autorëve.

Një pistë ku po hetohet nga Policia është një ngjarje e largët e vitit 1997, e ashtuquajtur si “Masakra e Levanit”, ku mbeti i vrarë vëllai i viktimës së sotme, Medi Backa. Ngjarja e rëndë ndodhi më 28 mars 1997, dhe është përplasja më e përgjakshme e trazirave të vitit 1997. Në këtë përplasje të dhunshme mbetën të vrarë 24 persona. Përplasja u zhvillua midis Bandës së Pusit të Mezinit dhe banorëve romë të fshatit Levan në Fier. E gjithë banda u eleminua gjatë kësaj përplasjeje.

Banda e Pusit të Mezinit ishte një grup kriminal me aktivitet në gjithë Shqipërinë e Jugut. Origjina e anëtarëve të kësaj bande ishte nga i gjithë jugu i vendit.

Shumica e tyre kishin qenë të burgosur edhe gjatë regjimit komunist për krime dhe kishin vendosur të quheshin “Të fortët e Jugut”. Kjo bandë kishte si rivale kryesore Bandën e Çoles të drejtuar nga Zani Çaushi. Banda e Pusit të Mezinit ishte mbështetëse e flaktë e Partisë Demokratike, dhe me sa duket kjo shkaktoi edhe eleminimin e tyre.

POR SI NISI KONFLIKTI:

Dy ditë para masakrës, në lagjen e romëve në Levan u vranë dy të rinj. Lulëzim Çela dhe Lefter Tushollari u qëlluan në qendër të lagjes, pranë “lokalit të Demos”, në brendësi të një bilardoje. Sipas të dhënave të policisë, disa persona me maska janë shfaqur në derën e bilardos dhe kanë gjuajtur me breshëri automatikësh mbi dy të rinjtë, duke i lënë të vdekur në vend.

Pas kësaj ngjarjeje burrat dhe djemtë e lagjes me 500 familje rome u armatosën deri në dhëmbë. Armët u siguruan në dy reparte ushtarake, që ndodhen vetëm 1 kilometër larg nga kjo lagje, ndërsa gratë dhe fëmijët u evakuuan të gjithë nga fshati.

Mbrëmjen e asaj dite, arena e luftimeve u bë përsëri lokali i Demos, kryeplakut të lagjes rome. Lokali me pesë dritare u rrethua nga një grup me mbi 15 persona të armatosur zbarkoi në fshat me katër automjete. “Mysafirët” hynë së bashku me disa romë në brendësi të lokalit të Demos. Qëndrimi i tyre aty ka qenë miqësor vetëm për 10 minuta dhe më pas është dëgjuar një breshëri automatiku.

“Ata kërkuan miqësisht municione. Ishin të dehur dhe si të droguar. Edhe kur ecnin nga makina në drejtim të lokalit të jepnin përshtypjen se diçka nuk shkonte tek ata. Nuk kishin frikë, por seç prisnin. Pinin cigare të shtrenjta dhe ishin të zhvilluar si trupa,”-tregon një dëshmitar i ngjarjes.

Anëtarët e bandës kishin kërkuar armë e municione, por kur Demoja, kryeplaku i lagjes, kishte refuzuar, ata e kishin gjuajtur me armë. Me të dëgjuar krismat, romët e tjerë nisën të gjuajnë në drejtim të lokalit, nga dritaret e të cilit kundërpërgjigjeshin edhe mysafirët. Tre romët e vetëm që gjendeshin në brendësi të lokalit arritën të largoheshin së bashku me Demon e plagosur, nëpërmjet një bunkeri që ndodhej nën lokal. Dy orë shkëmbim zjarri shënoi 24 të vdekur dhe 12 të plagosur. Mes viktimave kishte dhe dy të mitur, 13 dhe 17 vjeç.

TË VRARË MBETËN:

Ferdinand Sali Nanaj (Felja), nga Memaliaj
Adriatik Shehu, nga Memaliaj
Abaz Xhelo Bara, nga Qesarati i Tepelenës
Roland Komira, nga Gjirokastra
Dritan Nanaj, nga Gjirokastra
Luan Bedaj, nga Tepelena
Petrit Madallozi (Titi i Rukies), nga Tepelena
Astrit Duraj, nga Tepelena
Medi Aziz Backa (Buç Backa), nga Zhupani i Fieri
Astrit Selaci (Tit Selaci), nga Fieri
Edmond Pano, nga Fieri
Sokol Muka, nga Vlora
Kastriot Muka, nga Vlora
Petrit Muka, nga Vlora
Islam Kazanxhiu, nga Levani
Memet Selimaj, nga Levani
Fredi Selimaj, nga Levani
Ndërsa katër persona nuk janë identifikuar ende.