Prej orës 10:00 deri në orën 12:00 në Kuvend u mbajtën homazhet për Gerti Bogdanin, ish-deputetin e Partisë Demokratike, i cili u nda nga jeta ditën e djeshme në moshën 44-vjeçare.
Përfaqësues nga Partia Demokratike, por edhe eksponentë të Partisë Socialiste kanë mbërritur për të shprehur ngushëllimet e tyre për të afërmit e Bogdanit.
Grupi Parlamentar i PD ka mbërritur fillimisht në ambientet e Kuvendit, ndërsa më pas përfaqësues socialistë si Elisa Spiropali dhe Taulant Balla janë paraqitur në homazhe.
Presidenti Begaj mori pjesë në ceremoninë e homazheve, ndërsa nuk kanë munguar as figura si ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli, Lulzim Basha apo Enkelejd Alibeaj.
“Kishte një jetë aktive politike dhe publike. Ngushëllime familjes”, u shpreh Begaj.
Pjesëmarrës në homazhe ishte edhe Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili e quajti Bogdanin si një model të të rinjve të shkolluar që u kthyen në vend dhe dhanë kontribut në vend.
“Gerti ishte një model i të rinjve të shkolluar që u kthyen në vend dhe dhanë kontributin e tyre në jetën publike. E kam njohur edhe në detyrën e deputetit si kryeparlamentar, përtej raporteve personale dhe të tjera”, u shpreh Meta.
Gerti Bogdani do të përcillet ditën e sotme drejt banesës së fundit pasi humbi jetën në mënyrë tragjike ditën e djeshme, në moshën 44-vjeçare.
Figura dhe personaliteti i tij do të nderohen ditën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë, pjesë e të cilit ai ishte për 2 mandate duke ardhur nga radhët e Partisë Demokratike./Bw