Humbi kontrollin e mjetit dhe doli nga rruga, aksidentohet biznesmeni Kristian Boçi bashkë me dy fëmijët e mitur. SPAK i sekuestroi 50 mln euro pasuri

Identifikohen personat e përfshirë në aksidentin e ndodhur në autostradën Rrogozhinë-Lushnjë mëngjesin e sotëm.

Mësohet se drejtuesi i automjetit është Kristian Boçi, i cili në momentin e aksidentit udhëtonte bashkë me dy fëmijët e mitur.

Policia njofton se të tre personat janë dëmtuar lehtë dhe ndodhen në spital për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetë.

“Rreth orës 06:30, në aksin rrugor “Lushnjë-Tiranë”, shtetasi K. B., duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin e automjetit dhe ka dalë nga rruga. Si pasojë e daljes së automjetit nga rruga, janë dëmtuar lehtë shtetasi K. B., dhe 2 fëmijët e tij të mitur, të cilët ndodhen në spital për ndihmë mjeksore, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit“, thuhet në njoftimin e policisë.

Në qershor të këtij viti, SPAK i sekustroi biznesmenit Kristian Boçi 50 mln euro pasuri dhe ngriti akuza ndaj tij për pastrim parash.

SPAK bëri të ditur se “nga hetimi i kryer, u siguruan prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasit Elman Abule në bashkëpunim me shtetasin Kristian Boçi, Ender Boçi etj., kanë konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287, paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe në këtë skemë dyshohet se janë përfshirë edhe bashkëshortet e tyre. Shtetasi Elman Abule rezulton i dënuar në Belgjikë, ku ka kryer edhe dënimin në kuadër të grupeve kriminale. Gjithashtu nga provat e administruara deri në këtë fazë të hetimit, ekziston dyshimi i arsyeshëm se ky shtetas ka konsumuar edhe veprën penale të “Kontrabanda me mallra të licencuara”, parashikuar nga neni 173 i Kodit Penal”.

”Në kuadër të veprimtarisë së tij të paligjshme, shtetasi Elman Abule ka themeluar një sërë shoqërish tregtare, me qëllimin të maskojë kryerjen e aktiviteteve të paligjshme nga ana e tij, me veprimtari të konsideruara si të ligjshme. Ky shtetas, nëpërmjet krijimit të një sërë kompanive, disa prej tyre nën administrimin edhe të shtetasve Kristian Boçi apo Vladimir Avrami, kanë krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të produkteve të veprës penale”.

”Nga hetimi i kryer është konstatuar kryerja e disa veprime fiktive si p.sh.: shitje – blerje automjeti, ku në të njëjtën ditë është kryer anullimi i veprimit juridik, duke u shitur më tej mjeti me çmim shumë të lartë, marrja e kredive nga banka të nivelit të dytë, në nivele të pajustifikuara, ku vetë banka çuditësisht del edhe garant i shumave të dhëna, krijimi i shoqërive fiktive, të cilat është provuar se pavarësisht se nuk kanë kryer aktivitet financiar kanë pasur rritje të dukshme të kapitalit themeltar, dhënia e huave në shuma të konsiderueshme, por duke mos u justifikuar burimi i ligjshëm i krijimit të tyre, krijimi i shoqërivë me kuota të përbashkëta midis shtetasve Elman Aabule dhe Kristian Boçit, apo midis Kristian Boçit dhe Ender Boçi, duke u përcaktuar vlera të mëdha të kuotave, por të pashlyera nga ortakët respektivë, blerja e heceve me vlera të konsiderueshme, por të papërligjur burimi i të ardhurave, etj”.