Drejtori i Zyrës së Shtypit dhe Komunikimit në PD, Alfred Lela, duke komentuar komunikimin e akuzës nga SPAK ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha, tha me ironi se më në fund Prokuroria Speciale paska formuluar një akuzë për një “krim intelektual”.
Lela tha se jetojmë në epokën e qeverisë së Edi Ramës ku pronarë nuk janë ata që kërkojnë të marrin tokën e tyre, por e marrin ata që shpallen “investitorë strategjikë”.
“Në rastin Berisha kanë marrë pronën, pronarët e ligjshëm. Sali Berisha nuk ka asnjë firmë në asnjë dokument që lidhet me privatizimin e kompleksit Partizani. Aty ka firmën Edi Rama, Erion Veliaj dhe Lulzim Basha, por hetohet Sali Berisha”, tha Lela.
Në vijim ai u shpreh se 8 muaj pas arrestit shtëpiak, iu komunikua një akuzë, në vijim të një procesi që synon për të shmangur, burgosur, kryetarin e opozitës shqiptare.
“Masa është marrë si shfryrje inati, amatorizëm. SPAK ka shkelur ligjin, ndryshe ka vepruar me ministra dhe eksponentë të PS-së”, tha Lela. Ai tha se qëllimi i SPAK është të dëmtojë PD-në duke sulmuar dhe goditur Sali Berishën. “I dëmtuari i madh, viktima, martiri, dëshmori është Sali Berisha pasi është ai në përndjekje prosekuriale dhe politike. Qëllimi ishte të goditej PD përmes Sali Berishës. Qëllimi ishte të goditej aktori më i madh i komunikimit në një forcë politike, të goditej koka”, tha Lela.
Në vijim ai tha se 3 kryetarë të partive opozitare po goditen nga SPAK, nga më i madhi te më i vogli, duke shtuar se duket se kemi një aksion për të shpërbërë opozitën.
”Çfarë po synohet, të kemi vetëm partinë shtet? Atë kohë e kemi provuar”, tha Lela, duke shtuar se “lufta ndaj opozitës është luftë ndaj çdo shqiptari”.