Komisioni Hetimor për 25 Prillin/ PD: AKSHI të sjellë informacione për patronazhistët


KELMENT BAÇI/ Maxhoranca dhe opozita gjetën “paqen” politike në Komisionin Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, pasi miratuan me vota unanime rregulloren për funksionimin e tij dhe sekretarin, duke i hapur vazhdimit të punës.

Gjithashtu, në përfundim të mbledhjes, deputeti i PS-së, Klevis Xhoxhi, u zgjodh me konsensus sekretar i Komisionit. 

Por gjatë diskutimeve në komision, ku PD-ja shpalosi 21 kërkesat për informacion, përfaqësuesi i LSI-së Petrit Vasili kërkoi më shumë seriozitet dhe doli kundër procedurës së ndjekur nga PD-ja.

Ky qëndrim vjen një ditë pasi kreu i PD-së, Lulzim Basha, përfshiu në sulmet e tij edhe ish-kryetarin e LSIsë, Presidentin Ilir Meta, të cilin e bashkoi me Ramën dhe Berishën duke e quajtur “trekëndëshi i Bermudës”. Kundërshtitë e Vasilit nuk u morën në konsideratë nga anëtarët e PS-PD edhe kur ato nuk gjetën një ditë për mbledhjen e radhës të komisionit pasi ranë dakord për orën. Gjatë relatimit të kërkesave të PD-së, Alibeaj tha se deputetët kanë bërë disa kërkesa për informacion drejtuar institucioneve, ku përfshihet Kryeministri Edi Rama, kreu i AKSHI-t Mirlinda Karcanaj, kreu i Kadastrës Artan Lame, drejtori i Gjendjes Civile Bledar Doracaj, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, kreu i SPAK Arben Kraja, prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, drejtori i Përgjithshëm të Policisë Gledis Nano dhe drejtues të agjencive të tjera.

Ajo që bie në sy është pikërisht kërkesa drejtuar AKSHI-t për të sjellë informacion për mirëmbajtjen e bazës së të dhënave të gjendjes civile dhe si përfunduan ato në dorë të patronazhistëve. PD-ja i kërkon informacion të plotë dhe të detajuar Mirlinda Karcanaj, AKSHI, nëse janë vërejtur incidente me bazën e të dhënave që administrohet nga Agjencia Kombëtare e Shërbimit të Informacionit, në hyrje të paautorizuara apo cenime të tjera të parametrave të sigurisë, nëse ka pasur ndonjë/disa raste kur institucioni juaj zyrtarisht ose informalisht i ka vënë në dispozicion të dhëna personale Partisë Socialiste apo personave të lidhur me të, nga ato që administrohen nga ky institucion.

PD-ja i kërkon Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, vënien në dispozicion të praktikës së plotë të ndjekur për rastin e publikimit të të dhënave personale të 910 mijë qytetarëve të Tiranës. Për Kryeministrin Edi Rama, si Kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit, komisioni kërkon të dijë sa është numri i lejeve të ndërtimit që janë dhënë për periudhën 01.01.2020- 30.04.2021 dhe sa është numri i hapësirës në metër katrorë që këto leje zënë, sipas bashkive në të cilat janë dhënë lejet, për të njëjtën periudhë.

Por përpara se palët të arrinin konsensusin në votime, pati edhe një debat për procedurë midis deputetëve Ervin Salianji dhe Nasip Naço. Salianji iu drejtua deputetit të PS-së: “Unë nuk di, po edhe kolegët që kanë qenë në profesion prokuror si zoti Naço, duhet ta dinë se një hajdut nuk e pranon që është i tillë, por hajduti kapet. Ne duhet ta themi këtë para se të mbetemi në cic-mice të vogla procedurale, të cilat zgjidhen”.