Washington Post i ka kushtuar një artikull planit të dhëndrit të Trump, Jared Kushner, për të investuar në Zvërnec, në një resort luksi, projekti i dytë pas atij të Sazanit, që është diskutuar gjerësisht edhe në mediat shqiptare.
Pavarësisht se nuk ka ende një propozim zyrtar për Zvërnecin, duket se për të ka patur bisedime.
“Shqipëria nuk ka marrë ende një propozim zyrtar nga Kushner për projektin në Zvërnec. Por Kushner tha se Rama i ka parë personalisht renderat dhe ka qenë “shumë shumë entuziast” “, thuhet në shkrim.
Tre gazetarët e Washington Post, e trajtojnë çështjen në disa aspekte, duke filluar nga dëmet potenciale në mjedis, në një zonë të mbrojtur dhe më pas te lidhjet mes Ramës dhe Kushner, zanafillës së projekteve dhe një raporti paradoksal mes Ramës dhe Trump, të cilin Rama e ka pëshkruar në të shkuarën si një rrezik për Amerikën.
“Kushner ka planifikuar dy projekte në Shqipëri, por më i kontestuari është ai në zonën bregdetare të Zvërnecit – një parajsë e izoluar me plazhe dhe shkëmbinj me detin Adriatik në njërën anë dhe një lagunë në anën tjetër. Zona, e cila nuk arrihet nga rrugët, është parë prej kohësh si një thesar për investitorët potencialë. Por ka qenë e paprekshme si zonë e mbrojtur, ku një tabelë ndalon edhe kampingun”, shkruhet në artikull.
Por ky nuk duket më një problem pasi qeveria shqiptare ka kaluar një ligj që i hap rrugë investimeve luksoze dhe hoteleve me pesë yje, përfshirë në zonat e mbrojtura.
“Shqipëria u shfaq në radarin e Kushner në vitin 2021, kur një mik e përshkroi si një vend që duhej parë me patjetër. Kushner vajti. Ai u takua me Ramën gjatë këtij udhëtimi, siç deklaroi gjatë një interviste, por nuk bisedoi për çështje biznesi. Boomi turistik i Shqipërisë i mbeti në mendje dhe kur u kthye në SHBA mendoi për “gjeografi që janë në rritje”.
Kështu, Kushner dërgoi partnerin e biznesit, Abehsera, që të eksploronte ide për vendin. Kushner kujtoi Ramën të ketë thënë “nëse mund të ndërtosh diçka speciale, unë jam mendje hapur”, thuhet ndër të tjera në shkrim.
Në Shqipëri, planet e Kushner për të investuar në Sazan, janë shoqëruar me polemika të shumta, por qeveria shqiptare ka mohuar që projekti të jetë aprovuar, duke thënë se ka një propozim që po shqyrtohet. Ndërsa për Zvërnecin, qeveria Rama ka mohuar të ketë një propozim.