Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha sot se këto ditë mediat e huaja po ‘ziejnë’ se dy anije të njërës prej kompanive më të mëdha në botë në transport detar, janë nisur nga Durrësi me mbetje toksike. Berisha tha se anijet e nisura për në Tajlandë, mbretëria e Tajlandës i ktheu mbrapsht. Ai shtoi se shteti nga u nisën zbaton kodin Omerta, kodin e mafies, heshtjen e varrit, pavarësisht se janë rreth 140 kontejnerë.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Të dashur miq, këto ditë mediat botërore po ziejnë se dy anije të njërës prej kompanive më të mëdha në botë në transport detar, janë nisur nga Durrësi me mbetje toksike. Me lëndë të rrezikshme. Me 140 kontejnerë të ngarkuar në Durrës. Flet e gjithë bota, flasin mediat më të mëdha. Anijet e nisura për në Tajlandë, mbretëria e Tajlandës i ktheu mbrapsht. Nuk mund të pranohej.
Shteti nga u nisën zbaton kodin Omerta, kodin e mafies, heshtjen e varrit, pavarësisht se janë rreth 140 kontejnerë. Pavarësisht se janë ngarkuar nga porti i Durrësit. Pavarësisht se janë helme të rrezikshme. Nuk ka dyshim që kemi të bëjmë me një biznes kriminal të rrezikshëm, shumë të rrezikshëm për jetën, shëndetin e shqiptarëve.
Të dashur miq, kemi të bëjmë me një biznes kriminal të rrezikshëm të Edi Ramës dhe klanit të tij qeveritar.
Më thoni mua, si ka mundësi në një vend të prodhohen mijëra ton mbetje toksike dhe të jenë jetime? Të mos dalë prodhuesi i tyre? Të mos u dalë zot prodhimeve? Si ka mundësi që asnjë institucion që paguhet për kontroll të çdo gjëje që prodhohet në këtë vend, të çdo eksporti nga ky vend, të mos thotë dot një fjalë të vetme?
Cili qenka ai biznesmen i aftë që asgjëson çdo inspektoriat në Shqipëri, që asgjëson dogana, tatime, kontrolle e gjithçka tjetër dhe nis në det mijëra e mijëra ton helme lëndë toksike? Jo, ky nuk mund të jetë një biznesmen, ky mund të jetë vetëm kryepadrinoja e Shqipërisë, Edi Rama me klanin e tij.