Vrasja në azil, autori i dyshuar i krimit është historiani dhe shkrimtari Zyhdi Shehi, “Qytetar Nderi” i Kavajës dhe me medaljen “Naim Frashëri”

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga krimi i rëndë që ndodhi mëngjesin e sotëm në Tiranë, në ambientet e një azili privat pleqsh në lagjen “Ali Demi”. Policia tha se ka arrestuar si të dyshuar për vrasjen me bastun hekuri të 82-vjeçarit Virxhil Vesho, shokun e tij të dhomës Zyhdi Shehi, 78 vjeç.

Zyhdi Shehi, i lindur më 1946, është një historian dhe shkrimtar i njohur i Kavajës për botime dhe publicistikë historike e letrare. Madje ai vitin e kaluar është shpallur edhe “Qytetar Nderi” i Kavajës, ku iu dorëzua titulli nga autoritetet lokale bashkiake dhe në ceremoninë e zhvilluar dallohet gjendja jo e mirë shëndetësore, teksa dridhet gjatë fjalës së mbajtur.

Nga hetimet e para për krimin dhe dëshmitë, rezulton sesi viktima dhe autori, vuanin të dy nga skleroza, kurse motivi ka qenë i dobët, me debatin se “përse më ke zënë krevatin”.