Boksieri shqiptar Florian Marku, përmes rrjeteve sociale, i ka dërguar një mesazh rivalit të tij të radhës, francezit Jorick Luisetto, me të cilin do të përballet më 20 nëntor në “SSE Arena” të Londrës. Në këtë sfidë, Marku do të mbrojë për herë të parë titullin e kategorisë IBF Intrenational, fituar dy muaj më parë.
“Përshëndetje Jorick Luisetto. Duhet të kesh frikë nga unë. Më 20 nëntor do të shohësh se çfarë boksieri jam unë. Do të shohësh bomba që do të vijnë në kokën tënde”, shprehet Florian Marku në një video të postuar në “Facebook”.
“Përballë do të shohësh një kafshë ndryshe nga sa ke parë deri më tani. Në karrierën tënde je përballur me shumë rivalë, por asnjëri nuk ka qenë si unë. Do ta shohësh më sytë e tu këtë gjë”, deklaron Marku.
Boksieri shqiptar nuk ka asnjë humbje në karrierën e tij (9 fitore, 1 barazim) dhe për herë të fundit ka dueluar më 25 shtator. Ndërsa Luisetto numëron 11 fitore e 2 humbje në karrierë (sfida e fundit më 5 qershor të këtij viti). Për francezin kjo është sfida e parë jashtë vendlindjes së tij.