Delegatët e Partisë Socialistë votuan tre ditë më parë emrat e rinj që do t’i bashkohen Asamblesë Kombëtare. 1330 delegatë votuan më 28 korrik gjatë Kongresit të Partisë Socialistë 156 anëtarët e rinj, ku mes tyre është zgjedhur edhe Albora Rraja.
Ajo është vajza e ish-deputetit socialit Rrahman Rraja, i cili dha dorëheqjen vitin e kaluar pas ngjarjes së dhunshme në të cilën u përfshi fisi Rraja si dhe djali i tij, Rrexhep Rraja. Ajo është zv/kryetare e Këshillit të Qarkut Durrës, ku përfshihet edhe Kruja.
“Nuk kam fjalë për ta shprehur sikletin karshi të gjithë atyre që më kanë besuar gjithë këto vite. Fatkeqësisht unë dështova si prind dhe ndjehem i turpëruar publikisht nga fëmija im. Ju kërkoj ndjesë shokëve dhe kolegëve te grupit parlamentar dhe deklaroj dorëzimin e mandatit të deputetit dhe tërheqjen time nga jeta politike. Ju kërkoj ndjesë atyre që më kanë dhënë votën prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej 2 mandatesh si deputet. Ju kërkoj ndjesë viktimave të asaj dhune turpëruese për familjen time.
I bëj thirrje djalit tim të dorëzohet para drejtësisë. Zoti më dhëntë forcë që ta përballoj këtë dhimbje të madhe dhe jetë që ta shlyej këtë turp që më la mbi shpatulla si gur im bir. Në fund mirënjohje dhe ndjesë edhe kryetarit të partisë dhe kryeministrit, i cili nuk më kishte asnjë borxh për këtë shqetësim kaq të madh publik që i shkaktova”, tha aso kohe ish-deputeti socialist.
Zgjedhja e vajzës së Rrahman Rrajës si anëtare në Asamblenë e PS tregon se Edi Rama ka nevojë për vota dhe nuk i ndahet shpirti nga të fortët dhe njerzit e botës së krimit pavarësisht deklarimeve në publik. Megjithatë Kryeministri e ka thënë që përgjegjësia është personale dhe Albora Rraja nuk asnjë përgjegjësi se çfarë bëjnë babai, vëllai, Xhaxhai apo çdo njeri tjetër i fisit.