29 futbollistët e Tiranës pa sigurime dhe paga në të zezë, akuza e Prokurorisë për Refik Halilin

Drejtuesi i klubit të Tiranës, Refik Halili është akuzuar nga Prokuroria e Tiranës për fshehje pasurie. Prokuroria lajmëroi se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq klubin bardheblu, sëbashku me administratorin Halili duke e vendosur nën akuzë për “fshehje të ardhurash”, në vlerën totale 51 milionë lekë.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq ‘Klubin e Futbollit Tirana’ sha dhe administratorin e tij, shtetasin R.H., për Veprën Penale ‘Fshehje të të ardhurave’. Nga analizimi i të dhënave prokuroria doli në konkluzion se subjekti “Klubi i Futbollit Tirana” sh.a dhe administratori i kësaj shoqërie, shtetasi R.H., gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre kanë fshehur të ardhurat në vlerën totale prej 51.975.745 lekësh, duke bërë të mundur shmangien e Tatimit mbi Fitimin dhe Sigurimet shoqërore dhe Shëndetësore.

Ndërsa subjekti “Klubi i Futbollit Tirana” sh.a ka konsumuar gjatë aktivitetit të tij elementë të veprës penale ‘Fshehje e të Ardhurave’ të parashikuar nga Neni 180/3 i Kodit Penal, ku vlera e fshehjes reale pa penalitete është 51.975.745 lekë.
Në përfundim të hetimeve për procedimin penal nr.1755, të vitit 2017, rezultoi se për vitet 2014, 2015, 2016, ‘Futboll Klub Tirana’ ka pasur të federuar pranë Federatës Shqiptare të Futbollit 29 lojtarë për sezonin futbollistik 2014-2015 dhe 26 lojtarë për sezonin 2015-2016. Por në këto dy vite asnjë nga lojtarët e federuar nga FSHF për “Klubi i Futbollit Tirana” nuk u deklaruan në listëpagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të subjektit”, thuhet në njoftimin e prokurorisë së Tiranës.