Agalliu: Qeveria e ka rrënuar ekonominë dhe vjedh xhepat e qytetarëve

Deputeti i Partisë Demokratike, Arbi Agalliu ka reaguar pas publikimit të raportit të Eurostat, ku thuhet se 51% e shqiptarëve janë në rrezik varfërie dhe përjashtimi social.

Me anë të një postimi në Facebook, ai thotë se këto shifra tregojnë gjendjen reale të varfërisë në Shqipëri.

Sipas tij, të rinjtë që nuk e gjetën shpresën, mundësinë dhe derën e hapur në vendin e tyre u larguan.

Deputeti demokrat fajëson qeverinë, që sipas tij ka rrënuar ekonominë shqiptare dhe  ka vjedhur qytetarët.

“Shqipëria ka sot shifrat më të larta të përjashtimit social dhe varfërisë!

Eurostat tregon edhe njëherë gjendjen reale të varfërisë së shqiptarëve.

Shqiptarët ikin sepse realiteti nuk është ky që dëgjojmë çdo ditë nga propaganda.

51% e shqiptarëve në rrezik varfërie. Ata të rinj që nuk e gjetën shpresën, mundësinë dhe derën e hapur në vendin e tyre u larguan.

Sipas grup-moshave, në rrezik varfërie dhe përjashtimi social janë 53.9% e fëmijëve nën 18 vjeç, sërish më e larta në Europë.

Qeveria flet për rrite rrogash, për rritje të ekonomisë dhe bën premtime boshe për të rinjtë tanë. Po cilët të rinj? Ata që kanë braktisur vendin e tyre për t’u ushqyer? Apo ata që kërkojnë me ngulm çdo ditë një mundësi për tu larguar?

Fatkeqësisht ky është realiteti ynë, pse? Sepse kjo Qeveri e ka rrënuar ekonominë,  kjo Qeveri i vjedh xhepat e qytetarëve shqiptarë çdo ditë duke i bërë kushtet e jetesës mizerabël dhe duke detyruar njerëzit e vetë të largohen”, shkruan Agalliu.